Katër shtetas serbë janë arrestuar të dielën në fshatin Sfircë të Kosovës, pasi dyshohet se kanë kaluar ilegalisht vijën kufitare dhe kanë bartur armë pa leje.
Arrestimi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, e cila ka shtuar se armët dhe municioni i gjetur janë konfiskuar dhe të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
“Gjatë realizimit të detyrave të rregullta operacionale gjatë ditës së djeshme, vlen të ceket se njësite policore kanë arrestuar katër persona të dyshuar (gjuetarë) shtetas të Serbisë për kallim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje, te cilët kanë hyrë nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës. Armët dhe municioni i gjetur janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit, me vendim të organeve kompetente të drejtësisë, janë dërguar në mbajtje konform procedurave ligjore”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtën kohë, tabloidi serb Novosti dhe disa media të tjera të afërta me pushtetin në Serbi raportuan mbrëmë pretendime të pabazuara për një “sulm” nga shqiptarët ndaj ushtrisë serbe pranë bazës ushtarake “Debela Glava” në komunën e Bujanocit.
Sipas tyre, një grup i armatosur shqiptarësh kinse ka qëlluar 15 herë dhe më pas është larguar me gjashtë automjete brenda territorit të Kosovës.
Këto pretendime u hodhën poshtë në mënyrë kategorike nga Policia e Kosovës, e cila i cilësoi raportimet si dezinformata të rrezikshme.
“Policia e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se pretendimet e publikuara në disa media të Serbisë, sipas të cilave një “grup i armatosur shqiptarësh ka qëlluar (ka hapur zjarr) drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës së ashtuquajtur ‘Debela Glava’”, janë dezinformata, të pabazuara dhe nuk korrespondojnë me asnjë informacion zyrtar apo ngjarje të verifikuar nga autoritetet në territorin e Republikës së Kosovës.











