Katari dhe Turqia pjesë e negociatave për marrëveshjen në Gaza

Një delegacion turk i udhëhequr nga kreu i inteligjencës, Ibrahim Kalin, do të marrë gjithashtu pjesë në negociata nesër.

Kryeministri i Katarit, Mohammed Abdulrahman Al Thani, do të udhëtojë të mërkurën në Sharm El-Sheikh, Egjipt, për t’u bashkuar me negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit mbi propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për ndalimin e luftës në Rripin e Gazës.

Sipas një deklarate të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, pjesëmarrja e Al Thani-t “vjen në një fazë kritike të bisedimeve, duke riafirmuar vendosmërinë e ndërmjetësve për të arritur një marrëveshje që do të vendoste fundin e luftës katastrofale në Gazë”.

Ndërkohë, agjencia shtetërore turke Anadolu raporton se një delegacion turk, i udhëhequr nga kreu i inteligjencës, Ibrahim Kalin, do të marrë gjithashtu pjesë në negociata nesër.

Kalin ka zhvilluar takime paraprake me zyrtarë amerikanë, egjiptianë dhe katariotë, si dhe me përfaqësues të Hamasit, sipas burimeve të sigurisë të agjencisë.

Presidenti Trump, pyetur mbi garancitë që ofron ndaj partnerëve arabë për të siguruar që Izraeli nuk do të rifillojë ofensivën pas lirimit të të gjitha pengjeve, deklaroi: “Pasi kjo marrëveshje të ndodhë, nëse ndodh… ne do të bëjmë gjithçka që të sigurohemi që të gjithë të respektojnë marrëveshjen”.