Kastrati: Për Qeverinë, kushti i NISMËS tani për tani është që kryeparlamentari i tanishëm të mos jetë në krye të Kuvendit

Ekrem Kastrati anëtari i Nisma Socialdemokrate ka folur rreth një koalicioni të mundshëm mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate për krijimin e Qeverisë së Kosovës.

Kastrati tha se partia që ai i përket është në gatishmëri, ndërsa ka përmendur edhe një kusht, joklasik, siç e tha ai.

Kastrati tha se Nisma Socialdemokrate kërkon që kryeparlamentari i tanishëm, Dimal Basha, ta lirojë këtë pozitë pasi, sipas tij, Basha nuk përfaqëson interesin e qytetarëve dhe është jokredibil.

“NISMA ka pasur një qëndrim konstruktiv shumë parimor që të themelohen sa më shpejt institucionet e vendit, dhe kjo logjikë është edhe më tutje. Ne jemi gjithmonë në gjendje gatishmërie. Ne nuk kemi kushte, kushti është që kryeparlamentari i tanishëm të mos jetë në krye të Kuvendit sepse nuk i përfaqëson interesat e qytetarëve dhe nuk është një kryeparlamentar kredibil. Nuk është kusht por është qëndrim. Megjithatë mbetet në dorën e kryesisë së qendrës që të bëjë planet dhe strategjinë që si të ecim përpara. Tani për tani nuk kemi qëndrim të qartë për ndarje të ministrive. Nuk kemi biseda tani për tani. Me rëndësi është që të gjithë liderët e partive politike të kenë një qëndrim konstruktiv”- tha ai. /Kallxo