Kasolli: Kurti s’është i interesuar për formim të Qeverisë, synim ka zgjedhjet lokale

Ish-deputeti dhe analisti Afrim Kasolli ka vlerësuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duket më shumë i përqendruar te zgjedhjet lokale sesa te formimi i Qeverisë së re.

Kasolli ka thënë se pozicioni aktual i Kurtit tregon se ai nuk ka shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë dhe se më shumë përpiqet të fokusohet në aktivitetet për fushatën e zgjedhjeve lokale.

“Kurti krijon përshtypjen se nuk është i interesuar ta formojë Qeverinë. Prej kur u mandatua nga presidentja, kohën më të madhe e ka kaluar jashtë vendit. E vetmja kohë kur qëndroi në Kosovë për ndonjë aktivitet politik ishte koalicioni në Vushtrri”, ka thënë Kasolli në “Konfront” të KTV-së.

Ai shtoi se deri tani nuk ka pasur asnjë ftesë publike nga Kurti për partitë e tjera për të diskutuar për formimin e qeverisë, duke theksuar mungesën e përpjekjeve edhe minimale për dialog politik.

“Pozicioni i fituesit të zgjedhjeve është i ndryshëm nga besimi i tepruar që e kanë mbajtur eksponentë të Vetëvendosjes, që trumbetonin me të madhe se numrat do t’i kemi kur të vijë koha”, përfundoi Kasolli.