Kashta, sofrat, shiltet tradicionale dhe 5 mijë eurot “cash” – Zbulohen prapaskenat e faturave të “Darkës së Lamës”

Më 2 dhjetor 2024, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, kishte shtruar një darkë të madhe e me motive tradicionale në njërin prej hoteleve më moderne në Prishtinë.

“Darka e Lamës” po organizohej për herë të parë nga një ministri.

 

 

Në të kaluarën, ajo organizohej nga Presidenca e Republikës.

I gjithë organizimi i “Darkës së Lamës”, ku nikoqir ishte ministri Faton Peci, buxhetit të shtetit i kushtoi mbi 16 mijë euro.

 

 

Emisioni “Kallxo Përnime” përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka siguruar faturat, ku për ushqim dhe pije ishin paguar 7 mijë e 560 euro. Zërimi dhe TV LED kishin kushtuar 1 mijë e 500 euro, salla ku ishte mbajtur “Darka e Lamës” kishte kushtuar 800 euro, një faturë ku përshkruhen 200 copë reçel, kushtoi 896 euro. Të gjitha këto i ka konfirmuar vetë Ministria e Bujqësisë përmes një përgjigjeje me shkrim, përcjell Periskopi.

Por këto nuk ishin të gjitha faturat për “Darkën e Lamës”.

“Kallxo Përnime” ka zbuluar se një faturë për dekorimin e sallës, pasi ishte dërguar në ministri për pagesë, ishte tërhequr nga vetë kompania.

“Gjithashtu për dekorin, është kërkuar shërbim nga Operatori Ekonomik ‘Fiorista’ Sh.P.K., mirëpo të njëjtit janë tërhequr nga fatura për shërbimin e kërkuar dhe si pasojë nuk është vazhduar për pagesë” – tha Ministria e Bujqësisë më 12.05.2025.

 

 

Sipas fatursë siguruar për dekorimin e “Darkës së Lamës”, kap vlerën 5 mijë e 575 euro e 90 centë. Pagesa për të zyrtarisht nuk është bërë asnjëherë nga MBPZHR.

Hulumtimi zbardh prapaskenat për pagesën e faturës së “Darkës së Lamës”

 

 

Fatura e kompanisë “Fiorista”, që mban datën 03.12.2024, kishte të përshkruara shërbimet që ishin ofruar për “Darkën e Lamës”.

Një sofër ishte faturuar me çmim 182 euro e 60 centë. 21 të tilla ishin porositur. 80 shilte, sipas faturës, ishin porositur nga 10 euro e 60 centë, 25 sofrabezë nga 13 euro.

 

 

Fatura e biznesit ‘Fiorista’

Që darka të dukej sa më tradicionale ishte paraparë edhe kashta.

Në faturë, një duaj kashtë ishte përshkruar me çmimin prej 8 euro e 20 centë. Në total, 196 euro e 80 centë ishte paguar kashta vetëm për një natë. Dekorime nga bakri ishin paguar 263 euro, kunguj dhe perime të stinës 63 euro e 50 centë dhe lule të thata 15 euro.

Për dekorimin e “Darkës së Lamës”, që kushtoi 5 mijë e 575 euro, nuk ishte zhvilluar asnjë procedurë e prokurimit.

Pronari i kompanisë “Fiorista”, Andi Belegu, në një bisedë ka treguar se i gjithë komunikimi dhe porosia ka shkuar përmes kabinetit të ministrit Faton Peci. Sipas tij, përmes telefonit, shefja e kabinetit, Flutur Mustafa, ka kërkuar shërbimin.

“Kontaktin për këtë e kemi pasur me shefin e kabinetit. D.m.th. kërkesa ka ardhur prej kabinetit. Ne kontaktin e kemi pasur me Fluturën (Mustafa). Ajo e ka kërku shërbimin. Krejt komplet shërbimi ka shku nëpërmjet Fluturës” – ka konfirmuar Belegu.

Pagesa për shërbimin e dekorimit, siç ka konfirmuar pronari i biznesit “Fiorista”, u bë me para në dorë (cash). Sipas tij, një person nga Ministria e Bujqësisë, me emrin Shkëlzen, u takua me bashkëpunëtoren e tij, Sabina Karisik, dhe në një parking të një kafiterie në Prishtinë janë dhënë paratë në dorë.

“Në fund të fundit, ajo pagesë u kanë mundi jonë. Tash çka kanë bo ata atje dallavere, neve nuk na interesojnë, por ajo pagesë u kanë mundi jonë. Pagesa është bo ‘cash’” – thotë Andi Belegu.

“Ajo mënyra qysh e ka shti ai, janë ulë. I ka thënë: ‘Hajde po takohemi në Apartaman’. Kanë shku. Kjo u hi brenda, e ka pritë, ai i ka thënë: ‘Jo, s’po pijmë kafe, hajde po dalim’. Janë hypë në kerr, edhe në kerr ia ka dhanë paret. Në parking, në kerr, ia ka dhanë paret” – rrëfen Andi Belegu.

Ai ka konfirmuar se emri i personit që i ka ofruar paratë është Shkëlzen, punonjës i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas Belegut, paratë janë deponuar në xhirollogarinë e biznesit ditën kur janë pranuar në dorë. Sipas tij, dita e pranimit të parave ka qenë 15.04.2025, ditën kur nga postet e tyre kanë dhënë dorëheqje ministrat e Qeverisë.

Vetë Sabina Karisik nuk ka pranuar të flasë për këtë ngjarje. Ajo ka mohuar se ka pranuar para nga një zyrtar publik i Ministrisë së Bujqësisë me emrin Shkëlzen.

“Unë deponoj pare në llogari të biznesit, po, nuk i kam deponu qato… Më fal, po për momentin jam shumë e zënë” – ka deklaruar ajo përmes telefonit.

Në anën tjetër, përgjigje u kërkua edhe nga shefja e kabinetit të ministrit, Faton Peci, Flutur Mustafa.

Gjatë një takimi, Mustafa e ka pranuar që nuk janë hapur procedurat e prokurimit publik për dekorimin e “Darkës së Lamës”, por ka refuzuar të japë intervistë për këtë çështje.

Ndërkohë, në një përgjigje me shkrim, Zyra e Kryeministrit ka sugjeruar që për të gjitha detajet të kontaktohet Ministria që drejtohet nga Faton Peci.

“Siç edhe e dini, ngjarja e ‘Darkës së Lamës’ ka qenë organizim i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Zyra e Kryeministrit nuk ka qenë e përfshirë në aspektin organizativ, rrjedhimisht nuk është në dijeni për detajet dhe procedurat e organizimit. Ju lutemi që për çështjen në fjalë t’i drejtoheni ministrisë” – tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës./kallxo.com