“Karta e Artë” e Trump, hapen rezervimet online për shtetësinë amerikane

Websajti trumpcard.gov është online, ku mund të regjistroheni në listën e pritjes për të marrë “kartën e artë”, programin kontrovers të promovuar nga Donald Trump që u ofron qytetarëve të huaj një rrugë drejt shtetësisë amerikane, në këmbim të një pagese prej 5 milionë dollarësh.

“Karta Trump!”, shkroi presidenti në “Truth Social”. Projekti, i cili sipas presidentit nuk kërkon miratim nga Kongresi, nuk garanton shtetësi automatike, por vetëm akses preferencial, procedura për të cilën, megjithatë, mbetet e paqartë.

Faqja e internetit, e cila tregon një imazh të kartës së artë me fytyrën e manjatit, mbledh informacione bazë rreth kandidatëve (emri, kontinenti i origjinës, emaili).


Trump e përshkroi iniciativën si një version “më të sofistikuar” të kartës së gjelbër. Qëllimi i presidentit është të zëvendësojë programin aktual EB-5, i cili kërkon investime nga 800 mijë deri në 1.05 milion dollarë në këmbim të kartës së gjelbër.

“Njerëzit që vijnë në Amerikë duke blerë këtë kartë do të jenë të pasur dhe të suksesshëm. Ata do të shpenzojnë shumë para, do të paguajnë shumë taksa dhe do të krijojnë shumë vende pune”, tha Trump.