Kardiolog që u suspendua nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), nën akuzat për mosofrim të ndihmës mjekësore dhe referim në klinika private, Gani Bajraktari, ka thënë se “arsye e suspendimit për të është mungesa e arsyes”.
Ai ka thënë se ky vendim është absurd, por jo i papritur për të.
Sipas tij, është absurde që është suspenduar një profesor e se ka pasur vazhdimisht inskenime ndaj tij.
“Largimi im s’ka qenë i papritur sepse ky menaxhment që nga ardhja e tij në krye ka ushtruar një perskeutpim, diskriminim në punë, shantazhim, inskenim, e më ka dërguar tre-katër herë në polici e në komision disiplinor dhe edhe pse i kishte të gjitha në duart e veta, dolën të pasakta e të gjitha i fitova. Komplet inskenim, demagogji, e pabazë”, ka thënë ai në KTV.
Ai ka mohuar të gjitha akuzat që ka bërë menaxhmenti i SHSKUK-së ndaj tij e ka thënë se gjithçka lidhet me “hakmarrje primitive”.
Bajraktari ka thënë se do të padisë menaxhmentin për shpifje.