Kapja e Manduros, Haradinaj: ShBA riafirmoi vendosmërinë kundër regjimeve kriminale

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar sot lidhur me zhvillimet e fundit ndërkombëtare, përkatësisht arrestimin e Nicolas Maduros, duke e cilësuar këtë akt si fitore të sundimit të ligjit dhe dëshmi të fuqisë globale të Shteteve të Bashkuara.

Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj theksoi se ky veprim konfirmon se askush nuk mund të qëndrojë mbi parimet universale të drejtësisë.

Reagimi:

Kapja e Nicolas Maduros përbën një shembull të rëndësishëm të lidershipit global të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një dëshmi të qartë, të pakundërshtueshme, se askush nuk është mbi parimet universale të sundimit të ligjit.

Shtetet e Bashkuara, nën udhëheqjen e Presidentit Donald J. Trump, riafirmojnë vendosmërinë e tyre për të mos toleruar asnjë regjim që mbijeton përmes sponsorizimit, bashkëpunimit apo partneritetit me krimin e organizuar ndërkombëtar, duke dërguar një mesazh të fuqishëm për përgjegjësi globale.

Kosova ka qëndruar dhe duhet të vazhdojë të qëndrojë e rreshtuar krah vlerave dhe parimeve demokratike, si dhe pranë aleatëve të saj strategjikë, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat mbeten garant i lirisë, paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.