Kapen mallra të kontrabanduara në Leposaviq gjatë një aksioni të përbashkët të Policisë dhe KFOR-it

Policia e Kosovës së bashku me KFOR-in gjatë një aksioni të përbashkët në një rrugë ilegale në fshatin Gnjezdan të komunës së Leposaviqit, ka ndaluar gjashtë automjete transportuese dhe një veturë me targa të Serbisë, të cilat ishin të ngarkuara me mallra të ndryshme.

Sipas policisë, automjetet drejtoheshin nga shtatë persona, gjashtë prej tyre shtetas të Serbisë dhe një shtetas i Republikës së Kosovës.

Mallrat që përfshijnë produkte ushqimore, mjete teknike të punës, mobilje dhe artikuj të tjerë, kanë një vlerë të përgjithshme mbi 26 mijë euro dhe dyshohet se janë të kontrabanduara ose pjesë e tregtisë së paligjshme.

Rasti është trajtuar nga njësitë kompetente të Drejtorisë Rajonale Kufitare – Veri, ndërsa për procedurat e mëtejme janë përfshirë edhe Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Autoritetet kanë theksuar se lufta kundër kontrabandës dhe aktiviteteve ilegale do të vazhdojë me vendosmëri, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar rendin dhe ligjshmërinë në të gjithë territorin e Kosovës.