Kapen 5 tonë marihuanë në Serbi, vlera e tregut rreth 50 milionë euro

Policia në Serbi ka sekuestruar pesë tonë marihuanë në fshatin Konjuh, afër Krushevcit – sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në vend.

Përveç drogës, janë gjetur edhe katër armë automatike, një raketahedhës dhe para në vlerë prej gati 13 mijë eurosh. Tre persona janë arrestuar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal.

“Në bazë të punës disa mujore të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Shërbimit për Luftimin e Drogës, në një operacion të ndërlikuar dhe të koordinuar, në zonën e fshatit Konjuh u sekuestruan 5 tonë marihuanë”, ka njoftuar ministria e serbe e Punëve të Brendshme.

Ata thanë se, krahas drogës, janë gjetur edhe të paktën katër armë automatike, një raketahedhës dhe mbi 1.500.000 dinarë para të gatshme. Në vendin e ngjarjes janë arrestuar R.S. dhe N.S. (babë e bir), ndërsa në një adresë tjetër është prangosur edhe I.D., pjesë e të njëjtit grup kriminal.

“Kjo strukturë kriminale e kishte magazinuar marihuanën në objektet e kompanisë ‘Florakom d.o.o.’, prej nga droga dërgohej më pas në Beograd për shitje. Vlera e saj në treg pritet të arrijë rreth 50 milionë euro”, thuhet në njoftim.

Në magazinë janë gjetur gjithashtu peshore, makina vakumi dhe qese për paketim. Policia njofton se kontrollet po vazhdojnë, ndërsa të dyshuarit do të dërgohen në Prokurorinë për Krim të Organizuar për t’u marrë në pyetje.