Kaos në qiellin e Europës, Brukseli anulon gjysmën e fluturimeve të së dielës

Një sulm i përmasave të mëdha kibernetike ka goditur disa nga aeroportet më të mëdha të Europës këtë të shtunë, 20 shtator, duke shkaktuar kaos në qarkullimin ajror, anulime dhe vonesa të shumta në fluturime.

Heathrow në Londër, aeroporti më i ngarkuar i kontinentit, është ndër më të prekurit, së bashku me Brussels Airport dhe Berlin Brandenburg, ndërsa ndikim është raportuar më vonë edhe në Dublin dhe Cork. Në total, 29 fluturime janë anuluar, ndërsa qindra të tjera janë vonuar.

Problemet lidhen me softuerin MUSE të kompanisë Collins Aerospace, i përdorur globalisht nga shumë linja ajrore për menaxhimin e udhëtarëve dhe fluturimeve. Kompania mëmë, RTX (Raytheon Technologies), ka pranuar se bëhet fjalë për një “ndërprerje të lidhur me sulm kibernetik”, por nuk ka dhënë detaje për autorët apo motivin e mundshëm.

Ky incident është pjesë e një vale të gjerë sulmesh kibernetike që ka prekur së fundmi sektorë jetikë në Europë – nga shëndetësia dhe mbrojtja, deri te industria automobilistike**. Vetëm disa javë më parë, Jaguar Land Rover u detyrua të pezullojë prodhimin për shkak të një ndërhyrjeje të ngjashme.

Vetëm në Heathrow, ku ishin planifikuar 651 nisje për të shtunën, situata është përshkruar si “kaotike” nga pasagjerët, të cilët janë përballur me mungesë informacioni dhe keqmenaxhim.

Në Bruksel, autoritetet kanë raportuar për katër fluturime të devijuara dhe vonesa në pothuajse të gjitha nisjet. Si masë parandaluese, Brussels Airport u ka kërkuar linjave ajrore të anulojnë gjysmën e fluturimeve të planifikuara për të dielën.

Një zëdhënës i Komisionit Europian tha se ende nuk ka prova për një “sulm të gjerë ose shumë serioz.

Ndërkohë, autoritetet britanike dhe gjermane të mbrojtjes kibernetike janë vënë në kontakt të drejtpërdrejtë me aeroportet e prekura dhe janë duke bashkëpunuar në menaxhimin e krizës.

Ekspertët e sigurisë kibernetike theksojnë se incidenti nxjerr në pah brishtësinë e sistemit digjital që mbështet transportin ajror ndërkombëtar.