Kanosja ndaj Kurtit, të pandehurit nuk e pranojnë fajësinë – kryeministri nuk kërkoi dëmshpërblim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit, të cilët akuzohen për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

I pranishëm në seancën gjyqësore ishte edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti në cilësinë e të dëmtuarit.

Klinaku e Selmani u deklaruan të pafajshëm rreth akuzave për kanosje.

Klinaku tha se konsideron që nuk ka vepër penale, andaj nuk e pranon fajësinë.

“Konsideroj se nuk ka vepër penale dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë kanosje dhe nuk e pranoj”, tha i akuzuari.

Edhe i akuzuari tjetër, Nuredin Selmani u deklarua i pafajshëm.

“Jo, nuk e pranoj”, tha ai.

Ndërkaq kryeministri në detyrë Albin Kurti pas prezantimit bëri me dije se nuk ka angazhuar akovat dhe se do ta përfaqësoj veten këtë rast dhe se nuk do të bëjë kërkesë pasurore-juridike.

Më pas, gjykatësi Rrahman Beqiri tha se meqenëse nuk ka pranim të fajësisë, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Ramë Dreshaj dhe Labinot Vata, në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtim të provave.

Klinaku, së bashku me Nuredin Selmani, akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për kanosje ndaj Kurtit përmes rrjeteve sociale më 30 gusht të vitit 2023.

The post Kanosja ndaj Kurtit, të pandehurit nuk e pranojnë fajësinë – kryeministri nuk kërkoi dëmshpërblim appeared first on Kosovapost.net.