Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka folur për momentin kur gjatë pandemisë mori përsipër që të lexonte mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së prirë nga Albin Kurti, në të cilën ishte edhe partia e tij.
Në emisionin VV Show me Vehbi Kajtazin, Gashi duke folur për të kaluarën, ka thënë se dy momente në historinë e re dhe të hidhur të SHBA-së e bindën se kishte vepruar mirë kur vendosi LDK-ja për rrëzimin e qeverisë.
“E mora përsipër mocionin e mosbeismit ndaj qeverisë, nuk isha unë njeriu që e mora vendimin, nuk e kam takuar Grenellin, nuk e kam pasur kurrë raportin me të. Për kohën nuk ka qenë e pranueshme, por ishte rreziku jashtëzakonisht i madh”, ka thënë Gashi që tregoi edhe dy momentet amerikane.
Ai ka thënë se po të vazhdonte ajo qeveri, Kosova do të mbetej pa përkrahjen amerikane.
“Dyshimet mu kanë hek në dy momente: Momenti i parë kanë qenë trazirat në Capitol Hill kur u bë president Bideni [2021], gjithë ajo energji që ishte mbledh e kishin bind që në Kosovë i duhet një rezultat ndërkombëtar Trumpit me i fitu zgjedhjet dhe e dyta është tërheqja e ushtrisë amerikane nga Afganistani”, ka kujtuar Gashi.
“Ju kujtohen njerëzit kur hipnin nëpër rrota të aeroplanëve sepse u tërhoq ushtria amerikane. Ato kanë mundur t’i ndodhnin Kosovës”, ka thënë ai.









