Kandidatura e Dimal Bashës, Memli Krasniqi nesër mbledh partinë dhe deputetët pas abstenimit sot në Kuvend

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thirrur për nesër në orën 12:30 një mbledhje me deputetët e kësaj partie, kanë bërë të ditur burime të Reporteri.net.

Përveç mbledhjes së grupit parlamentar, PDK pritet të zhvillojë nesër edhe mbledhjen e Kryesisë së partisë, e cila mbahet çdo të hënë.

Kjo mbledhje e grupit parlamentar të PDK-së vjen një ditë pas seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët e saj abstenuan në votimin për kandidatin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha.

Në vazhdimësi, përfaqësues të PDK-së kanë theksuar se do të mbështesin për kryetar të Kuvendit çdo kandidat të Vetëvendosjes që nuk ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar të kryeministrit Albin Kurti.

PDK u kritikua gjatë ditës se nuk e mbajtën fjalën, meqë Basha nuk ka qenë pjesë e Qeverisë.