Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, sqaroi se gjoba prej 20 mijë eurove nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa erdhi për shkak të një postimi të shpërndarë nga një kandidate në listën e partisë.
Ajo tha se kjo kandidate, nuk e kishte ditur se shpërndarja e atij postimi mund të sanksionohej.
“Në listën e deputetëve janë 110 kandidatë. Është ba kandidatja për deputete të cilës ju po i referoheni, e ka ba një ndarje të një postimi, të cilin e ka ba dikush tjetër dhe është e vërtetë që e ka marrë atë dënim, por ajo ka qenë sigurisht që zonja nuk e ka ditur që diçka e tillë edhe dënohet, në fakt, sepse në ambientin ku ushtrohet politikë pikërisht nga partia në pushtet, disa herë partitë opozitare, mediat dhe gjithë të tjerët do të thotë fyen dhe quhen pikërisht me gjuhë të tillë”, tha Bajrami ne ATV.
Sipas saj, LDK nuk është dënuar asnjëherë për gjuhë të ashpër, por ka marrë gjoba për shkelje të tjera procedurale apo vendosje posterësh në zona të ndaluara.
“Për ndryshe, nuk kemi asnjë dënim për shkak të gjuhës ose për shkak të fjalimeve që i kemi nëpër tubimet tona, sepse e kemi një përmbledhje, do të thotë jemi ndër partitë që prijnë me dënime, por kryesisht dënimet janë për shkak të mungesës së informatave ose disiplinës që mund të kenë disa kandidatë që vendosin poster në vende publike ose vende ku nuk duhet,” deklaroi Bajrami.