Kandidati i AAK-së për deputet ka vërejtje për votat me postë, PZAP: Ankesa u dorëzua pothuajse 8 ditë pas afatit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka hudhur si të pasafatshme një ankesë të kandidatit për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë, Agron Kuçi për parregullsi gjatë administrimit dhe numërimit të votave me postë për zgjedhjet parlamentare.

Ai u ankua për dërgimin e organizuar, siç ka thënë, të disa fletëvotimeve nga aktivistë të shoqatës “Sali Çekaj” në Junik.

PZAP tha se ankesa e tij është paraqitur “pothuajse 8 ditë pas afatit ligjor”.

“Në këtë rast, nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, konstatohet se ankesa është e parashtruar pas afatit ligjor për paraqitjen e saj, pasi që në njoftimin e KQZ-së i publikuar në web faqen e saj ndër të tjera thuhet se “…Prishtinë, 04 mars 2025, 16:00 – Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës, i cili kishte filluar me 28 shkurt…” ndërsa pala ankuese gjegjësisht kandidati Agron Kuqi nga subjekti politik AAK, ankesën e ka dorëzuar në poste me date 13 mars 2026 ndersa ne PZAP eshte pranuar me datën 18 mars 2025, që do të thotë se ankesa për këto pretendime është dorëzuar pas afatit të paraparë ligjor prej 48 orëve bazuar në nenin 105 paragrafi 1 i LZP-së, në të cilin nen në mënyrë decidive thuhet se: “Ankesat lidhur me administrimin e numërimit në QKN dhe QNR dorëzohen me shkrim pranë PZAP-së brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar””, thuhet në vendimin e PZAP-së.