Kanadaja thotë se Kina ka ekzekutuar katër kanadezë nën akuza për drogë

Autoritetet kanadeze kanë konfirmuar se katër kanadezë janë ekzekutuar në Kinë më herët këtë vit nën akuza të lidhura me drogën.

Të gjithë të ekzekutuarit ishin qytetarë me shtetësi të dyfishtë dhe identiteti i tyre nuk është zbuluar me kërkesë të familjeve të tyre, u tha të mërkurën gazetarëve ministrja e Jashtme e Kanadasë, Melanie Joly, raporton televizioni BBC.

Ajo e dënoi ekzekutimin e katër shtetasve, duke e cilësuar si “të pakthyeshëm dhe në shpërputhje me dinjitetin themelor njerëzor”, duke shtuar se “personalisht kishte kërkuar lehtësim të dënimit”.

Një zëdhënës i ambasadës kineze në Kanada tha se provat për krimet e shtetasve kanadezë ishin “solide dhe domethënëse” dhe i bëri thirrje këtij shteti që “të ndalojë së dhëni deklarata të papërgjegjshme”, sipas raportimeve, transmeton nacionale.

Ambasada kineze shtoi se Pekini “i kishte garantuar plotësisht të drejtat dhe interesat e shtetasve kanadezë të përfshirë” dhe i bëri thirrje Qeverisë së Kanadasë që ta respektojë “sovranitetin juridik të Kinës”.

Kina nuk e njeh shtetësinë e dyfishtë dhe ka qëndrim të ashpër ndaj krimeve që lidhen me drogën.

Ministrja Joly tha se ajo kishte qenë duke i ndjekur rastet “shumë për së afërmi” me muaj dhe ishte përpjekur bashkë me zyrtarë të tjerë, përfshirë ish-kryeministrin Justin Trudeay, që ta parandalonte ekzekutimin e katër shtetasve.