Afër 1.5 milionë euro vlerë e kokainës dhe arit që u kap nga Dogana e Bullgarisë të enjten, nuk iu gjetën një kompanie kosovare të transportit por një automjeti transportues me targa turke.
Mediat raportuan se vlera milionëshe e kokainës dhe arit e gjetur nga doganierët në pikën kufitare Kapitan Andreevo është gjetur në kamionin e kompanisë kosovare “Al Cargo”.
Por, ndryshe ka deklaruar shefi i policisë doganore bullgare në këtë pikëkufitare, Stanisllas Vasilev.
Shoferi dhe targat e kamionit ishin turke, tha të enjten Vasilev në një deklaratë për televizionin bullgar “BTV Novinite”
“Në vetë kontrollin, në kabinën e kamionit u gjetën 10 pako me një substancë të fortë pluhur, që reagoi pozitivisht ndaj kokainës. Një punonjës doganor bëri kontroll personal të shoferit, ku në xhepat e xhaketës së tij gjeti 3 pako me metal të verdhë – ar me peshë totale mbi 5 kg”, tha Vasilev në deklaratë.
Gjatë deklaratës televizive të shefit të tyre, zyrtarët doganorë vazhdonin punën në prapavijë dhe, pikërisht në momentet e prononcimit të Vasilev për televizionin “BTV Novinite” ishte radha e kontrollit të kompanisë “Al Cargo” Sh.P.K.
Pamjet në prapavijë dëshmonin se kamioni me targa kosovare po kontrollohej, por asgjë përtej kësaj.
Të njëjtin version e thotë edhe Arianit Murati, pronari i kompanisë “Al Cargo” Sh.P.K. me të cilin Paparaci bisedoi të enjten.
Murati i tha Paparacit se kamioni i kompanisë së tij është ngatërruar nga raportimet e mediave për shkak se në prapavijën e një video të publikuar nga mediumet bullgare – në të cilën po prononcohej zyrtari doganor bullgar – po kontrollohej kamioni i “Al Cargo”-s nga Kosova.
“Nuk është i vërtetë lajmi. Nuk bëhet fjalë për kamion të kompanisë tonë”, ka thënë Murati në një deklaratë përmes telefonit për Paparacin.
Murati ka deklaruar se kamioni i kompanisë “Al Cargo” nuk është ndaluar dhe se i njëjti pritet që të mbërrijë në Kosovë të premten.
“Ju ftoj të gjitha mediave të jenë prezente; lirisht mund të vijnë të shohin, të marrin pamje – pa asnjë problem”, ka thënë ai.
Bazuar në deklarimin e shefit të policisë doganore bullgare në pikëkalimin Kapitan Andreevo, kamioni i kapur me drogë dhe ar të paligjshëm po transportonte lule nga Holanda në drejtim të Turqisë. /Paparaci.com









