Kamerat e sigurisë dhe fshatari që i dha ujë “kurth” për Faton Hajrizin – policia serbe e lokalizoi 14 km larg vendit të vrasjes së policit

Dëshmi të reja po dalin rreth vrasjes së Faton Hajrizit. Mediat serbe kanë publikuar në detaje rrugëtimin e tij pas ikjes nga vendi i ngjarjes, aty ku dyshohet se vrau një polic serb dhe një tjetër e la të plagosur. Sipas mediave atje, Fatoni rrugëtimin e tij deri tek vendi ku u vra e bëri me një biçikletë që e kishte marrë në një shtëpi në Loznicë.

Faton Hajrizi u vra të premten në malin Guçevo afër Loznicës, pasi një ditë më parë dyshohet se vrau policin Nikola Krsmanoviq (34) dhe plagosi kolegun e tij Vjekoslav Iliq. Me gjithë forcat e shumta policore, Fatoni ka arritur t’i bëjë deri në 14 kilometra nga bregu i Lipnicës deri në fshatin Trbushnicë, ku policia e lokalizoi dhe më pas e vrau.

Pas vrasjes që dyshohet se e kreu Fatoni dyshohet se iku në drejtim të panjohur, deri të premten kur edhe ndodhi vrasja e tij.

Mediat serbe kanë përshkruar rrugëtimin që pretendohet se Fatoni mori para se të likuidohej

Sipas portalit Nova, nga Lipnicki Sor ai ka ikur në drejtim të Loznicko Polje, një lagje e Loznicës, ku ka vjedhur një biçikletë nga oborri i një shtëpie.