Kamboxhia do të nominojë presidentin amerikan Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqe, në shenjë vlerësimi për rolin e tij në arritjen e armëpushimit të fundit me Tajlandën, njoftoi zëvendëskryeministri i vendit të Azisë Juglindore, transmeton Anadolu.
“Si qytetarë kamboxhianë, e admirojmë thellësisht dhe e falënderojmë sinqerisht presidentin amerikan, ‘Presidentin e Paqes’. Duhet zyrtarisht të propozojmë që presidenti Donald Trump të nderohet me Çmimin Nobel për Paqe”, citohet të ketë thënë Sun Chanthol për median kamboxhiane “Fresh News”.
Chanthol ka thënë se përfundimi i konfliktit mes Kamboxhias dhe Tajlandës shpëtoi mijëra jetë.
Marrëdhëniet mes Tajlandës dhe Kamboxhias u përkeqësuan në javët e fundit, me tensione që eskaluan në pesë ditë sulmesh ajrore dhe zjarr artilerie në kufi, duke shkaktuar dhjetëra të vrarë dhe të plagosur, përpara se të arrihej një armëpushim më 28 korrik.
Të hënën e kaluar, Malajzia organizoi bisedime paqeje në Kuala Lumpur, gjatë të cilave palët ranë dakord të ndalin sulmet ndërkufitare.
Më herët, Trump kishte folur me kryeministrat e Tajlandës dhe Kamboxhias, duke u kërkuar që të ndalin luftimet dhe duke paralajmëruar se konflikti mund të rrezikojë marrëveshjet tregtare me SHBA-në.
Trump foli sërish me ta për t’i përgëzuar për marrëveshjen e armëpushimit.
Në qershor, edhe Pakistani kishte njoftuar se do të propozojë Trumpin për Çmimin Nobel për Paqe për rolin e tij në arritjen e një armëpushimi me Indinë, pas shkëmbimeve të raketave në muajin maj.
Më vonë, në korrik, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se do ta nominojë gjithashtu për Çmimin Nobel për Paqe.
The post Kamboxhia do ta nominojë Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen appeared first on Kosovapost.net.