Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shpreh sërish shqetësimin për kamatat e larta të kredive nga bankat komerciale në vendin tonë.
Megjithëse edhe në raportet e BQK-së kreditë e këqija vazhdojnë të jenë shumë të ulëta, bankat mbeten dorë shtrënguese sa i përket dhënies së kredive me norma më të favorshme të interesit.
Kjo qasje po u shkakton probleme të mëdha bizneseve tona, të cilat përkundër shumë sfidave, po përpiqen të zgjerojnë investimet e tyre.
Numër i madh i bizneseve tona anëtare, kanë raportuar për norma të larta të interesit dhe administrata jo efikase.
Mungesa e likuiditetit është jetike për të mbështetur prodhimin dhe eksportet.
Derisa në vendet e rajonit shtetet kanë ndërmarrë veprime të ndryshme, ku sipas të dhënave që i kemi mbledhur, normat e interesit në kredi janë shumë më të ulëta.
Madje ka shtete, të cilat kanë marrë iniciativa për të inkurajuar bizneset edhe nga Kosova që të bartin prodhimin, duke ju ofruar kushte shumë më të favorshme, përfshirë edhe kamata shumë më të ulëta sesa ato që i ofron sektori bankar në Kosovë.
Me këtë rast Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, i bënë thirrje institucioneve kompetente shtetërore, BQK-së dhe sektorit bankar, që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm në mbështetje të bizneseve, pasi nga kjo qasje po pëson ekonomia edhe ashtu e brishtë e vendit, e cila përballet me numër të madh të sfidave.