“Kam folur me disa klube, Brazili dhe Botërori janë zgjedhja më e mirë”

Ja përsëri Davide Ancelotti. Djali i “Carlettos” në fund ka vendosur të ndjekë babain edhe në pankinën e Brazilit, pasi mbeti pa alternativa për të qenë trajner i pavarur (i parë), pas largimit nga Real Madridi. Trajneri nga Parma, 35 vjeç, dha një intervistë për “MARCA” ku tregoi:

“Të jem trajner i parë? Po, është objektivi im në karrierë. Në fund të sezonit pata mundësinë, nga babai im, ta ndjek te kombëtarja braziliane, por i kërkova pak kohë për të menduar dhe folur me disa klube”.

Ai shtoi: “Kisha disa mundësi dhe në fund, pa hyrë në detaje të negociatave, zgjedhja më e mirë për mua ishte të pranoja këtë sfidë për të marrë pjesë në një Botëror, dhe ta bëja këtë me një kombëtare që përfaqëson 200 milionë njerëz”.

Pra, çdo ide për ta filluar karrierën si trajner i pavarur (jo në hijen e babait) është shtyrë për korrikun e vitit 2026: “Për momentin nuk mendoj për korrikun 2026, jam i fokusuar tek e përditshmja. Kur të vijë një ofertë, do ta vlerësojmë dhe do të flasim. Nuk mund të them se çfarë do të bëj brenda një viti.

Është e vërtetë që tani jam shumë, shumë entuziast për Brazilin dhe për t’u bërë pjesë e CBF-së. Është gjithashtu një mundësi, e rrallë, për të mësuar një gjuhë të re dhe njohur një kampionat, lojtarë e profesionistë të nivelit shumë të lartë”.

The post “Kam folur me disa klube, Brazili dhe Botërori janë zgjedhja më e mirë” appeared first on Telesport.