“Kam aq energji sa kur isha 30 vjeç”: Presidenti brazilian do të kërkojë mandatin e katërt në moshën 80 vjeç

Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, ka njoftuar se do të kërkojë një mandat të katërt historik në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Ish-punëtori i metaleve, i cili u rikthye në presidencë në vitin 2023 pasi mposhti presidentin e ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, konfirmoi vendimin e tij gjatë një fjalimi në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakarta, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Jam gati të mbush 80 vjeç, por mund të jeni të sigurt se kam aq energji sa kisha kur isha 30 vjeç. Dhe do të kandidoj për një mandat të katërt në Brazil”, njoftoi Lula, i cili feston ditëlindjen të hënën.

Edhe pse i afrohet të 80-ave, Lula mbetet figura më me ndikim në të majtën braziliane – një status që ish-udhëheqësi i sindikatës e ka gëzuar për 40 vitet e fundit.

Nëse zgjidhet, ai do të jetë 85 vjeç kur të përfundojë mandatin e tij të katërt dhe do të bëhet i vetmi president brazilian i zgjedhur në mënyrë demokratike që ka kaluar 16 vjet në pushtet.