Prokuroria Speciale e Kosovës e rrëzoi sot një kallëzim penal të ushtruar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ndaj ish-ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi.
Por, për çka e denoncoi Sallahu, Selimin dhe drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçin?
Shtatë muaj më parë, zëvendësministri Sallahu njoftoi të ketë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ish-ministrit Selimi dhe drejtorit të ShKK-së, Nehat Thaçi, lidhur me pretendimet për nënshkrimin e një “kontrate kriminale”.
“Sot, njëanshëm kemi anuluar kontratën kriminale përmes së cilës persona të papërgjegjshëm kanë dhënë në shfrytëzim pronën e Ministrisë së Drejtësisë, personit juridiko privat pa asnjë bazë ligjore, gjithsej 2 hektarë e 12 ari e 17 metra katrorë”, njoftoi Sallahu në Facebook.
“Po ashtu kemi dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër ish Ministrit Selim Selimi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi”, tha ai, para shtatë muajve.
Sallahu po ashtu kishte njoftuar për dorëzimin e një kërkese në Këshillin Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë kundër Nehat Thaçit për shkelje të rëndë të detyrave në punën e tij.