Kallasi sinjalizoi ndryshim të kursit në dialog, vëzhguesit të pasigurt për suksesin e saj

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, do të realizojë vizitën e saj të parë në Ballkanin Perëndimor në cilësinë e shefes së diplomacisë evropiane.

Ajo do të qëndrojë në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

Por, ajo nuk do ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë, dy vende për të cilat komentet e saj gjatë kësaj jave kanë tërhequr vëmendjen e vëzhguesve, veçanërisht për shkak të sinjalizimit për ndryshimin eventual të kursit aktual të dialogut Prishtinë-Beograd.

“Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim”, ka deklaruar Kallasi në mes të kësaj jave, por nuk ka dhënë detaje se çfarë mjetesh përtej formatit aktual mund të konsiderohen për të avancuar normalizimin e marrëdhënieve.

Toby Vogel, analist i lartë nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Berlin, ka theksuar se nga komentet e kryediplomates evropiane ka fituar përshtypjen që “rishikimi i politikave” sa i përket procesit të dialogut është drejt përfundimit.

Gjithashtu, duke paralajmëruar “mjete të tjetra” për të shtyrë përpara procesin e normalizimit, sipas tij, ajo ka pohuar se dialogu mund të mos jetë rruga kryesore për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obligative për njohje reciproke Kosovë-Serbi.

“Ajo është duke sugjeruar se dialogu mund të mos jetë rruga kryesore për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës. Ajo është duke thënë se dialogu në vitet e fundit ka devijuar nga qëllimi kryesor dhe është kthyer në një proces pa destinacion”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një “marrëveshje historike” para dy vitesh, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër. Por, përkundër insistimit të BE-së se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative për palët, ajo ende nuk është zbatuar, transmeton albanianpost.

Që nga shtatori i vitit 2023 nuk janë zhvilluar takime të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, ndërsa çështja kryesore vazhdon të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Beogradi e kërkon atë si “hap të parë” drejt normalizimit, ndërsa Prishtina insiston në zbatim të plotë dhe të barabartë të të gjitha kushteve të marrëveshjes.

Vogel ka vlerësuar se për të arritur progres në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, evropianët duhet të “zbusin” fokusin e tyre ndaj Beogradit, ose të paktën të rishikojnë qëndrimin e tyre ndaj presidentit serb, Aleksandar Vučić, ndaj të cilit ekziston njëfarë “tolerance” përkundër regjimit të tij autokratik në Serbi.

Ai ka konsideruar se BE-ja ka toleruar sulmin në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës – mashtrimin në zgjedhje, aleancën me Rusinë, dhe ka mbështetur presidentin serb kundër protestuesve në Beograd.

Vogel ka shprehur drojë se, megjithëse Kallasi mund të jetë duke rishikuar politikën e saj ndaj procesit të dialogut, nuk ka garanci se kjo do të çojë në rezultate, duke qenë se, sipas tij, politika e BE-së ndaj Serbisë formulohet kryesisht nga Franca dhe Gjermania.

“Fatkeqësisht, politika e BE-së ndaj Serbisë formulohet në Paris dhe Berlin, dhe nga presidentja e Komisionit [Evropian, Ursula] von der Leyen, e cila është mbështetëse e vendosur e Vuçiçit. Pra, megjithëse nuk kam asnjë dyshim se rishikimi i politikave do të nxjerrë përfundimet e duhura, nuk jam aspak i sigurt se do të implementohen”.

Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë përballë pasigurive që rrethojnë Evropën, krahas ngjyrimeve të reja gjeopolitike, mbetet për t’u parë kursi i BE-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.