Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha sot se Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i madh i Evropës, pasi administrata Trump deklaroi në një dokument të rëndësishëm strategjik se Evropa një ditë mund të humbasë statusin e saj si një aleat i besueshëm.
Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare e ShBA-së, e publikuar në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë, kritikoi Bashkimin Evropian si antidemokratik dhe Evropën si një kontinent që i mungon vetëbesimi.
Qëllimi i SHBA-së duhet të jetë “të ndihmojë Evropën të korrigjojë trajektoren e saj aktuale”, thuhet në dokument, transmeton Klankosova.tv
“Ka shumë kritika, por mendoj se disa prej tyre janë të vërteta. Nëse e shikoni Evropën, ajo e ka nënvlerësuar fuqinë e saj përballë Rusisë”, tha Kallas në një panel në Forumin e Dohas në Katar.
“Duhet të jemi më të sigurt”, tha ajo, duke shtuar se “ShBA-të mbeten aleati ynë më i madh”.
“Mendoj se nuk kemi rënë gjithmonë dakord për disa çështje, por mendoj se parimi i përgjithshëm është ende aty. Ne jemi aleatët më të mëdhenj dhe duhet të qëndrojmë së bashku”, përfundoi Kallas. /Klankosova.tv











