Kallas në Shkup: Rruga deri në anëtarësim nuk është e lehtë

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas pas takimit në Shkup me kryeministrin Hrisitjan Mickoski, paralajmëroi se ka mundësi për lëvizje, lidhur me bllokadën e rrugës së integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për shkak të mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat i kërkon Bullgaria.

“Rruga deri në anëtarësim nuk është e lehtë dhe porosia e ime sot është që të mbeteni në të njëjtin drejtim. T’i ndërmerrni hapat e nevojshme për hapjen e bisedimeve hyrëse”, tha Kaja Kallas, përfaqësuese e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

“Është e qartë se duam që Maqedonia e Veriut me të vërtetë të lëvizë nëpërmjet kësaj rruge dhe e dimë se ka pengesa. Atë e diskutuam sot që të mundemi të gjejmë mekanizma që të tejkalohen ato pengesa. Gjithsesi kryeministri mund t’i sqarojë idetë e tij, por vlerësoj se ka hapësirë ku mundemi të bëjmë diçka, nuk do të hyja në detaje. Në qoftë se lëvizim, atëherë do ta publikojmë para mediave”, theksoi Kaja Kallas, përfaqësuese e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Mickoski, nga ana tjetër theksoi se vendi është i gatshëm për zgjidhje të ngërçit me Bullgarinë, megjithatë ajo duhet të jetë e qëndrueshme dhe e dinjitetshme, raporton Alsat-M, transmeton Klankosova.tv.

“Sot, kërkova trajtim korrekt. Kërkova qëndrueshmëri. Evropa të tregojë lidership, i cili do të sjellë diçka me vlerë për qytetarët në realitet. Të kthehet besimi në idenë evropiane, veçanërisht te të rinjtë”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.

“Dora jonë mbetet e shtrirë. Ne jemi të hapur për miqësi, dialog dhe bashkëpunim. Por ne qëndrojmë të vendosur, të drejtë dhe dinjitoz – me porosi të qartë: jemi gati. Evropa mund të mbështetet te ne – dhe tani është koha që ne të fillojmë të mbështetemi te Evropa”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Kallas gjatë ditës ka realizuar takime edhe me ministrin e Jashtëm Timço Mucunski dhe atë të Mbrojtjes, Vllado Misajllovski. Kallas viziton Shkupin, derisa ende nuk ka një strategji të qartë se vendi do ta tejkalojë veton e Bullgarisë për fillimin e negociatave, e cila kërkon që të futen bullgarët në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Ky kusht, është pjesë e kornizës negociuese, ndërsa Bullgaria këmbëngul që për të nuk ka çfarë të rinegociohet. Megjithatë, Maqedonia e Veriut kërkon garanci që të mos përsëritet ngecja, me ndonjë veto tjetër eventuale në lidhje me çështjet bilaterale.