Frontex raporton rënie 25% të hyrjeve të parregullta në BE.
Me një muaj të mbetur deri në fund të vitit, të dhënat e Agjencisë Evropiane për Kufijtë dhe Rojet Bregdetare (Frontex) konfirmojnë një rënie të ndjeshme të kalimeve të parregullta drejt Bashkimit Evropian krahasuar me vitin 2024.
Nga janari në nëntor, rreth 167 mijë hyrje të parregullta janë regjistruar në kufijtë e jashtëm të BE-së, 25 për qind më pak se një vit më parë.
Por pas këtyre shifrave pozitive fshihet një realitet më i pakëndshëm për Brukselin: pavarësisht përpjekjeve dhe burimeve të konsiderueshme të investuara në luftën kundër rrjeteve të trafikimit, rruga e Mesdheut Qendror mbetet thuajse e pandryshuar.
Kalimet në këtë korridor kanë rënë vetëm me 1 për qind, duke e bërë atë sërish itinerarin më të ngarkuar migrator drejt BE-së.
Sipas Frontex, mbi 63 mijë e 200 mbërritje janë regjistruar në Mesdheun Qendror gjatë 11 muajve të parë të vitit, gati 40 për qind e të gjitha hyrjeve të parregullta.
Ulja e nisjeve nga Tunizia dhe Algjeria është neutralizuar nga rritja e ndjeshme e kalimeve nga Libia, e cila mbetet pika kryesore e nisjes për më shumë se 90 për qind të migrantëve që ndjekin këtë rrugë, pavarësisht bashkëpunimit të kontestuar me autoritetet libiane.
Rënia e përgjithshme e shifrave është nxitur kryesisht nga ulja e fortë e kalimeve në rrugën e Afrikës Perëndimore (-60 për qind) dhe në Ballkanin Perëndimor (-43 për qind).
Ndërkohë, Mesdheu Perëndimor shënoi rritje prej 15 për qind, ndërsa në Mesdheun Lindor kalimet ranë me 30 për qind, edhe pse korridori Libi-Kretë regjistroi një rritje alarmante prej 260 për qind.
Pavarësisht rënies së flukseve, kostoja njerëzore mbetet dramatike. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, mbi 1 mijë e 700 persona kanë humbur jetën deri tani këtë vit duke tentuar të kalojnë Mesdheun.











