Gazetari e analisti Vehbi Kajtazi ka thënë se Albin Kurti nuk po dëshiron ta mbajë postin e kryeministrit përkundër se tashmë ka një pushtet të konsoliduar me më shumë se 50 për qind të votave të popullit.
Në emisionin VV Show, Kajtazi ka listuar disa nga arsyet që sipas tij Kurti po tenton t’i ikë përgjegjësisë për drejtimin e ekzekutivit.
Një ndër arsyet kryesore sipas Kajtazit është se Kurti po i frikësohet marrëveshjeve paraprake që i ka arritur gjatë kësaj kohe me Serbinë, e që sipas Kajtazit në këto marrëveshje Kurti ua ka njohur autonominë serbëve.
“Pse Kurti nuk po dëshiron të jetë kryeministër përkundër pushtetit? Sipas meje, qofsha i gabuar, Kurti nuk po dëshiron të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë për shkak të bërllokut që e ka krijuar me Besnik Bislimin, veçanërisht kur Trump është president, sepse në negociata me Serbinë kur Trump është president a po mendoni se ai të len me diskutu kësi çështje të vogla e që për ne janë shumë të mëdha. Këtë pra Kurti nuk po e dëshiron. Marrëveshja e Kurtit është më e keqja, iu ka dhënë autonomi serbëve, ua ka dhënë arbitrazhin ku gjyqtarë do të jenë një serb një shqiptar dhe një ndërkombëtar, dhe çështjen e kishës që i ka dhënë autonomi të plotë. Pra, Kurti e ka nda Kosovën për ata që duan ta dinë. E qeverisur prej shqiptarëve dhe serbëve, ne si shtet dhe ata si autonomi brenda shtetit tonë. Kjo për mua paraqet tradhti kombëtare, veçanërisht kur flasim për Kurtin, i cili në pushtet ka ardhur me premtimin për bashkim kombëtar, ndërkohë që bëri autonomi për serbët”, ka thënë Kajtazi.
Kajtazi ka bërë të ditur se Kurti e ka lënë jashtë Qeverisë Besnik Bisilimin që t’i ikë përgjegjësisë për marrëveshjet e arritura me Serbinë gjatë kësaj kohe.
“Besnik Bislimi i cili i ka negociuar të gjitha këto marrëveshje në fund nuk e ka futur fare në Qeveri as në negociata. Pse? Sepse çfarëdo marrëveshje që detyrohet ta nënshkruajë, në fund do ta fajësojë Besnik Bislimin të cilin më nuk e ka në Qeveri”.
E gjithë skema me zgjedhjen e një presidenti të ri sipas Kajtazit është thjeshtë një lojë e Kurtit.
Kajtazi ka thënë se Kurti është duke tentuar që ta gjejë një person me vlera të mëdha patriotike për ta pasur si mbulesë për atë që ai e ka quajtur ‘tradhti kombëtare’.
“Kush është dikush që e mbulon këtë maskarallëk të Kurtit. Pra ai do dikë që ka fuqi politike, Vjosa nuk e ka më. Vjosa u kry. Ai do dikë me “background” patriotik që të jetë mbulesë për tradhtinë kombëtare që e ka bërë Kurti. Po flas për tradhti sipas interpretimit të tyre paraprak”, ka deklaruar Kajtazi.










