Kajtazi zbulon një sekret që hedh poshtë pretendimet e Bashës: Ka kërkuar informacione nga unë kundër UÇK-së

Gazetari Vehbi Kajtazi ka zbuluar sekrete të padëgjuara më parë rreth punimit skandaloz të tashmë kryeparlamentarit të Kosovës, Dimal Basha.

Në emisionin VV Show, Kajtazi ka bërë të ditur se Basha kishte punuar gjatë për punimin e tij.

Për herë të parë Kajtazi ka rrëfyer se Basha gjatë vitit 2011 kishte kërkuar informacione nga ai kundër UÇK-së.

“Dimal Basha i ka diskutuar me mua këtë çështje. Në vitin 2011 ai i ka diskutuar me mua punimet që është duke i bërë dhe ka kërkuar edhe material prej shkrimeve të mija. Në mënyrë të veçantë në vitin 2011 kur unë kam publikuar një sëri shkrimesh në Koha Ditore bazuar në dosje të NATO-s në Kosovë, e cila kryesisht merrej me njerëz të UÇK-së e të SHIK-ut. Ai ka pasur interes për këto materiale dhe përdorimin e tyre në studime atje, natyrisht shkrimet janë publike dhe secili mund t’i marrë në gazetë. Po e përmendi këtë fakt për të konfirmuar se Basha le që ka qenë në dijeni por ai është bashkëautor dhe Basha ka shumë hise në këtë material të poshtër”, ka thënë Kajtazi në VV Show.

Ai ka shtuar se shkrimi i Bashës përdoret nga studentët në Beograd, duke potencuar se një shkrim i tillë shërben si propagandë për Serbinë kundër luftës çlirimtare të UÇK-së.

“Studentët në Beograd po e citojshin me të madhe shkrimin e Bashës në studimet e tyre dhe në propgandgën e tyre. Ky është investimi i madh i Serbisë për ta ndryshuar narrativën e luftës clirimtare. Është e rëndë që kryeparlamentari të ketë një shkrim të tillë. Rrjedhimisht Basha ka kryer punë për Serbinë, a është paguar prej tyre nuk e di dhe nuk besoj, por kjo narrativë e Serbisë e ka sjellë këtë shkrim. Bashkëautorja e Bashës masakrës së Reçakut i referohet si incident. Serbia asnjëherë nuk e ka pranuar atë çfarë ka ndodhur në Reçak por thotë se është incident. Ne kemi rënë pre e një propagande”, ka thënë Kajtazi.