Kajtazi: Qeveria Kurti është në anën e Prokurorisë së Gjykatës Speciale

Gazetari Vehbi Kajtazi ka thënë se Qeveria Kurti është rreshtuar krah Prokurorisë së Dhomave Speciale të Kosovës në Hagë.

Deri te ky konkludim, Kajtazi thotë të ketë ardhur pasi gjatë mandatit të kësaj qeverie, mbrojtjes së të akuzuarve në Hagë u është kufizuar mbështetja financiare.

“Në shumë raste, shteti ka qenë në anën e Gjykatës Speciale, për të mos thënë edhe të Prokurorisë. Sigurisht që po. Nëse merr vendim shteti me ua kufizu mbështetjen financiare të akuzuarave, dhe ata në këtë mënyrë nuk gëzojnë të drejtën e barabartë me prokurorinë për t’u mbrojtur, pra kanë kufizime buxhetore, kjo i bie, sipas meje, që shteti është në anën e Prokurorisë. Sepse ne kemi një ligj që e ka nxjerrë Kuvendi. Krahas ligjit për Dhomat e Specializuara, është edhe ligji për mbrojtjen juridike. Këtë ligj e ka votuar Kuvendi, të cilin secila qeveri do të duhej ta zbatonte”.

“Në rastin konkret, me ardhjen e Qeverisë Kurti, ka pasur kufizime të financave, që sipas meje, i bie që këta janë rreshtuar në anën e Prokurorisë duke iu shkaktuar vështirësi në mbrojtje. Mos të harrojmë, në procedura penale sikurse ky në Hagë, mendoj se ekipet mbrojtëse do të duhej të kishin ekipe të mëdha mbrojtëse po aq sa ka Prokuroria”, deklaroi Kajtazi, teksa shtoi se nëse të mungojnë financat, “ti nuk je i barabartë me prokurorinë në një proces gjyqësor”