Kajtazi pretendon se Departamenti Amerikan i Energjisë “po e heton” Kurtin për përfshirje në mafinë energjetike

Gazetari Vehbi Kajtazi ka ngritur akuza serioze ndaj deputetit të VV-së, Albin Kurti, duke pretenduar se ai është nën hetim nga Departamenti Amerikan i Energjisë për përfshirje të drejtpërdrejtë në një skemë të dyshuar mafioze të shitblerjes së energjisë elektrike në vend.

Sipas tij, skema e dyshuar përfshin njerëz të afërt me Kurtin, të shpërndarë në institucione kyçe të sektorit energjetik, përfshirë kompani që kanë marrë licenca për furnizim me energji.

“Ekziston një raport shumë i gjerë i Departamentit Amerikan të Energjisë, i detajuar për energjinë në Kosovë. Kurti është i përfshirë në shitblerjen e energjisë elektrike me mafien energjetike. Direkt është i përfshirë. Aty ka një skemë – nuk po zbuloj më shumë sepse rasti është nën hetim – ku në krye të asaj skeme ekziston Albin Kurti. Pastaj janë të shpërndarë në dikastere, në KEK, në kompani, në këto që po regjistrohen si furnizues. Këta janë njerëz të Kurtit që kanë marrë licenca. Që kanë punuar me të. Këshilltarë, ambasadorë, krejt janë të përfshirë në këtë marifet.” – deklaroi Kajtazi në VV SHOW.