Gazetari Vehbi Kajtazi ka deklaruar se tolerimi i dëmtimit të kolegëve brenda të njëjtës parti politike krijon terren për abuzime edhe më të mëdha, përfshirë dëmtimin e kundërshtarëve politikë dhe të buxhetit të shtetit. Këto deklarata ai i bëri në emisionin “VV Show”.
Sipas Kajtazit, nëse një individ nuk e ka problem t’i bëjë dëm kolegut të partisë së vet për interesa personale, atëherë pasojat janë edhe më të rënda kur bëhet fjalë për raportet me partitë e tjera apo me institucionet shtetërore.
“Kur nuk e ke problem me i bo dëm kolegut të partisë, llogarite vetë çka i bën kolegut të partisë tjetër apo buxhetit të shtetit, nëse i shfrytëzon të gjitha mundësitë që i ke në dispozicion”, tha Kajtazi.
Ai theksoi se kjo logjikë duhet të ndëshkohet fillimisht nga vetë partitë politike, duke shtuar se në mungesë të këtij reagimi, është e vështirë që qytetarët ta adresojnë problemin. “Kjo logjikë duhet me u ndëshku prej partive politike. Nëse nuk e bëjnë partitë, zor është që munden me bo qytetarët”, u shpreh ai.
Në të njëjtin emision, analisti politik Visar Ymeri shtoi se përgjegjësia individuale e komisionerëve zgjedhorë është kyçe në parandalimin e parregullsive. Ai solli si shembull një rast të mundshëm në Prizren, ku sipas tij, një kundërshtim i vetëm do ta kishte bërë të pamundur realizimin e keqpërdorimit.
“Nëse një prej komisionerëve në Prizren do të kishte refuzuar, kjo do të ishte shumë më e vështirë me ndodhë. Nuk ka kundërshtuar askush dhe ka ndodhur”, deklaroi Ymeri.
Ai shtoi se refuzimi i një personi do t’i kishte detyruar edhe të tjerët të vepronin njësoj. “Nëse njëri refuzon, atëherë edhe të tjerët ishin detyru me kundërshtu”, tha Ymeri.










