Gazetari Vehbi Kajtazi ka deklaruar se, ndonëse Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë si partia e tretë për nga rezultati zgjedhor, ajo vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes politike në vend.
Duke folur në emisionin VV Show, Kajtazi tha se fokusi politik dhe publik aktualisht është i përqendruar pikërisht te LDK-ja, pavarësisht se ajo nuk ka peshën kryesore numerike në Kuvend.![]()
“LDK-ja është partia ku gjithmonë vlon. Edhe pse është partia e tretë, fokusi vazhdon të jetë te LDK-ja. Madje, edhe pse me numra është pas PDK-së, prapë LDK-ja është ajo që shihet si zonë e lakmuar”, u shpreh Kajtazi.
Sipas tij, kjo “zonë e lakmuar” aktualisht është e rrezikuar nga zhvillimet e brendshme në parti dhe nga veprimet e udhëheqjes së saj.![]()
“LDK-ja është e rrezikuar prej vetë saj, prej strukturave dhe prej Lumir Abdixhikut. Ka pasur njerëz brenda dhe jashtë vendit që nuk e kanë njohur Lumirin si kryetar dhe kanë punuar për ta larguar nga kryetari. Sot, për shkak të rezultatit të dobët, atyre u ka ardhur rasti”, tha Kajtazi.
Ai kritikoi faktin se brenda partisë nuk po kërkohet fillimisht përgjegjësi nga vetë strukturat dhe nga kryetari i saj për rezultatin zgjedhor.
“Sot nuk po kërkojnë llogari fillimisht prej vetvetes e pastaj prej zotëri Abdixhikut, por po shfrytëzojnë rezultatin për të hapur betejat e brendshme”, theksoi ai.
Në përfundim, Kajtazi paralajmëroi se LDK-ja ndodhet në një moment vendimtar për të ardhmen e saj politike.
“LDK-ja është në qendër të vëmendjes: ose këndellet dhe reformohet, ose kjo parti rrezikon të jetë në buzë të ekzistencës”, përfundoi Kajtazi.










