Kajtazi: Osmani po viktimizohet ndërsa raporti me Kurtin është në përplasje të ashpër

Gazetari Vehbi Kajtazi ka folur për raportet e tensionuara ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, duke i cilësuar zhvillimet e fundit si përplasje të thellë politike.

Në emisionin “VV Show”, Kajtazi deklaroi se presidentja Osmani së fundmi ka nisur të paraqitet në një rol më viktimizues në raport me zhvillimet politike.

“Zonja Osmani ia ka nis kapak edhe me u viktimizu. E pash një forum ku tha ‘po më shajnë, po më viktimizojnë’, qato që i përjetojmë na edhe prej saj,” u shpreh Kajtazi.

Ai foli edhe për një takim mes tyre, duke thënë se sipas informacioneve që ka marrë, situata kishte qenë shumë e tensionuar.

“E mora vesh se çfarë kish ndodh ditën që janë taku në kabinet. Kish qenë situata shumë e tensionume, sa për një moment Vjosa Osmanit i kish ardh edhe me përdorë shpullë,” tha ai.

Më tej, Kajtazi ngriti pyetjen për arsyet e prishjes së raportit mes Kurtit dhe Osmanit, duke bërë një krahasim edhe me marrëdhënie të njohura publike.

“A e din do çifte të Hollywood-it, për shembull kur është nda Brad Pitt me Angelina Jolie, e patën kriju njëfarë lëndimi shpirtëror te krejt bota sepse i kanë pas si model të bërë për njëri-tjetrin. Edhe këta në politikë, edhe vetë, po edhe njerëzit e kanë kriju bindjen që janë të bërë për njëri-tjetrin,” deklaroi Kajtazi.

Ai shtoi se tashmë kjo marrëdhënie ka marrë një tjetër dimension, duke iu referuar edhe deklarimeve të Osmanit.

“Por këta ishin kanë partner në krim, siç po thotë Vjosa Osmani,” përfundoi Kajtazi.