Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka reaguar përmes rrjetit social facebook, pas kërkesës së kolegut të saj nga radhët e Vetëvendosje, Liburn Aliu, rreth uljes së pagave në kabinetin qeveritar, duke thënë se Vetëvendosje duhet t’i përgjigjet pyetjes se si mbeti puna e fotos së Albin Kurtit në odën e vrasësit të policit në Istog.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës të ulë pagat për kabinetin qeveritar, në të kundërtën ai duhet të rrisë pagat e mjekëve dhe mësuesve.
Por, nuk vonoi shumë se erdhi reagimi i deputetes nga radhët e AAK-së, të cilës i takon edhe vetë kryeministri Haradinaj.
Ja statusi i plotë i Kadrijajt:
“Paskan dalë këta “ekspertët” e VV-së, këtë herë Liburn Aliu, të godasin sa më ulët Qeverinë Haradinaj, kur është në momentin kryesor të kthimit të dinjitetit të shtetit. Ky dinjitet po kthehet për herë të parë, por po duket që nuk janë aq të kënaqur këta brenda. Sidoqoftë, VV është më mirë të përgjigjet në një pyetje: Qysh mbeti puna e fotos së Albin Kurtit në odën e vrasësit të policit në Istog? Përgjigjuni njëherë këtu e pastaj flasim për gjithçka”!