Kadri Veseli – Isa Mustafës: Ka fjet tanë jetën, tutet prej hijes së vet

Kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka vizituar vendin ku do të ndërtohet Memoriali i të dëbuarve.

Ai me këtë rast është pyetur nga mediat se si e komenton deklaratën e kreut të LDK’së, Isa Mustafa, i cili ka deklaruar se “Kosova nuk mund ta themelojë Tribunalin për krimet e Serbisë në Kosovë”.

Para tri ditëve, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ideja e Kadri Veselit për të themeluar një Tribunal Ndërkombëtar për dënimin e krimeve të luftës është përpjekje e Shefit të PDK’së për t’i mbuluar dështimet e Qeverisë.

Mustafa ka thënë se Kosova s’ka fuqi të themelojë një mekanizëm të tillë të drejtësisë meqë kjo është kompetencë e institucioneve ndërkombëtare.

“Tribunalin s’mund ta themelojë Kosova. Mund ta themelojnë Kombet e Bashkuara, Këshilli i Sigurimit ose BE-ja”, ka thënë Mustafa, në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së

E Kadri Veseli sot e thumboi keq të parin e LDK’së, duke thënë se “vetëm atyre që gjithë jetën janë në gjumë dhe tuten prej hijes së tyre” (siç u shpreh ai).

“Sa për politikën, më vjen rëndë edhe ta diskutoj, kjo nuk është garë politike, këtu nuk fitoj poena, mundem me fitu veç kërcënime po bash nuk mërzitem. Tribunali Ndërkombëtar do të ndodh dhe do të memorizohet krimi që ka ndodhur mbi shqiptarët. Nëse flasim për jetë njerëzish, për kriminelët që kanë dhunuar dhe kanë vrarë, duhet të ketë drejtësi nga bashkësia ndërkombëtare. Nuk ka mundësi të heshtet e as të mbulohet një krim kaq masiv që ka ndodhur mbi qytetarët tonë. Kjo është arsyeja që prej nesër, do të mundohemi të fillojmë punën në mënyrë sa më profesionale me Komisionin shtetëror. Nuk është vonë për këtë iniciative, vonë janë veç ata që gjithë jetën kanë qenë fjetë edhe tuten prej hijes të vet”, tha Veseli.