Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu ka folur për FrontOnline pas vendimit të KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe, duke e cilësuar atë si çështje thjesht procedurale dhe formale, e jo politike, ashtu siç po paraqitet nga subjektet politike.
Kryeziu tha se partitë politike të regjistruara certifikohen automatikisht, ndërsa çdo devijim nga kjo praktikë krijon tensione të panevojshme dhe prodhon efekte të dëmshme.
“Ky certifikim është çështje procedurale dhe formale. Partitë politike që regjistrohen në mënyrë automatike edhe certifikohen. Këta po bëjnë politikë, të gjithë, dhe është politikë me efekte negative”, deklaroi Kryeziu për Front Online.
Ai theksoi se rruga ligjore është e qartë dhe se vendimi i KQZ-së do të kthehet nga gjykatat, pasi ky institucion nuk ka kompetenca për të ndaluar certifikimin e një partie të regjistruar.
“Kërkesa e tyre shkon në gjykatë dhe gjykata ua kthen, dhe KQZ nuk ka kompetenca as kushtetuese e as ligjore mos me certifiku, përkundër asaj që është institucion kushtetues’’, tha ai.
Në këtë drejtim, Kryeziu paralajmëroi se efektet e një vendimi të tillë janë negative si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
“Efektet janë negative si në aspektin e brendshëm ashtu edhe ndërkombëtar. Serbët i kemi detyrë me integru, por jo me forcë, por me demokraci dhe liberalizëm,” u shpreh ai.











