Kabineti i Hajrullah Çekut përzihet në çmimet e artit, ndryshon jurinë e pastaj juria fituesit

Juria e parë, e emëruar nga Hajrullah Çeku, vendosi si fitues Hysni Krasniqin dhe Eliza Hoxhën. Kabineti i Ministrit ushtroi presion, por juria nuk ndryshoi qëndrim. Më pas, Hajrullah Çeku mori vendim për krijimin e një jurie të re. Juria e dytë i ndryshoi fituesit, ku njëri prej tyre rezulton të jetë familjar i kryesueses së jurisë.

Kabineti i Ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku, është përzier drejtpërdrejt në ndarjen e çmimeve për artin pamor – ani pse për këtë ishte formuar fillimisht një juri profesionale.

Më 18 qershor 2025, Hajrullah Çeku formoi një juri për vlerësimin e nominimeve për dy çmime që do të jepeshin: Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimi Vjetor për të Arriturat në fushën e Artit Pamor për vitin 2024.

Juria e parë

Juria përbëhej nga Fatmir Krypa, Eshref Qahili dhe Hazir Reka.

Por rrugës u rrotullua gjithçka.

Kjo juri vendosi që çmimet të shkonin për: Hysni Krasniqin – Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Eliza Hoxhën – Çmimi Vjetor për të Arriturat në fushën e Artit Pamor për vitin 2024.

Kabinetit nuk i pëlqeu aspak kjo dhe burime të sigurta të VOX Kosova thonë se ata bënë presion të drejtpërdrejtë ndaj jurisë që të ndërroheshin të përzgjedhurit.

Juria nuk pranoi dhe Hajrullah Çeku, në shtator – pas tre muajsh, e ndërroi jurinë duke emëruar një tjetër.

Në vendimin e datës 11 shtator, juria e re emërohet me përbërje: Rudina Xhaferi – kryesuesee jurisë dhe Artan Hajrullahu e Afrim Hajrullahu.

Juria e dytë

Kjo juri vendosi që Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Muslim Mulliqi” t’i ndahej Agim Salihut, ndërsa Çmimi Vjetor për të Arriturat në fushën e Artit Pamor për vitin 2024, Doruntina Kastratit.

Kjo e fundit ishte përzgjedhur nga Ministria e Kulturës për ta përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Venecias në vitin 2024.

Në procesverbalin e jurisë së re, që mban datën 22 shtator 2025, e që e ka siguruar VOX Kosova, thuhet se Agim Salihu është familjar i kryesueses së jurisë, Rudina Xhaferi. Por ajo, thuhet në procesverbal, është tërhequr nga salla kur është votuar.

E çuditërisht, në votim kanë marrë pjesë për këtë kategori vetëm dy anëtarë të jurisë – Afrim dhe Artan Hajrullahu – dhe çmimin ia ndanë pikërisht familjarit të kryesueses, Agim Salihut.

Rudina Xhaferi kishe qenë pjesë e jurisë për të njëjtat çmime edhe në vitin 2021.

Procesverbali i jurisë së dytë

Për këta fitues, nesër është planifikuar edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve.

VOX Kosova ka kontaktuar me Eshref Qahilin, njërin nga anëtarët e jurisë së parë. Ai ka konfirmuar emrat e tjerë në vlerësimin e tyre dhe ka shprehur dyshime se arsyeja pse është ndërruar juria, e më pas edhe fituesit, mund të jetë politike – për shkak të Eliza Hoxhës, e cila është edhe deputete e PDK-së – apo edhe se kanë dashur dikujt tjetër t’ia japin.

“Pasi e kemi bërë ne vlerësimin, kanë shtuar edhe disa nominime të tjera, gjoja se nuk i kemi kontrolluar, se i kanë plasuar ata gabim me një zyre tjetër… Neve na i kanë dorëzuar nominimet çfarë kanë qenë në listë, kanë qenë pesë veta që kanë nominuar, emra. Pastaj kanë shtuar edhe dy a tre emra nga ministria dikush, edhe ne nuk kemi dashur të jemi aty, sepse ajo është kundër mendimit tonë. Dhe plus, a i kanë dorëzuar ata me kohë apo jo… Se kanë dashur dikujt tjetër me ia dhënë. Sigurisht aty ka qenë problemi”, ka thënë Qahili.

“Juria jonë ia ka dhënë dy vetëve: Hysni Krasniqit, i cili ka qenë i vetmi për Jetësore, i vetmi nominim ka qenë ai nga ato letra që na i kanë sjellë, dhe Eliza Hoxhës për Vjetore.”

Ai u pyet nëse i din arsyet pse është ndryshuar juria dhe nëse ka këtu motive politike.

“Po si duket – nuk i kam pyetur, se nuk më ka rënë me pyet – po është problemi që ata sigurisht kanë dashur dikujt tjetër, ose është në pyetje një emër i caktuar, kujt me ia dhënë. Këtë Vjetore që e ka marrë Eliza, ndoshta e kanë lidhur me partinë e saj. Por ne nuk kemi shikuar parti, jemi apartiakë. I kemi parë vlerat dhe punën që e ka bërë gjatë vitit ose gjatë jetës”, ka shtuar ai.

“Hysni Krasniqi është një prej profesorëve, që ka vdekur, i ndjeri. Ka vdekur diku 80-vjeçar dhe vetëm me mëndu për art, në atë kohë kur ai ka studiuar në Beograd, është mjaft. Vetëm me mëndu. Po me shku me studiu, që nuk ka ditë as serbisht as kurrgjë, edhe tash atë me e hjekë e me e pru dikë tjetër, kushdo qoftë ai, nuk e di kujt ia kanë dhënë, nuk vlen. Sepse: një që ka vdekur, e dyta që ka qenë një prej të parëve.”

Ai insiston se ndryshimet kanë ndodhur vetëm e vetëm sepse në Ministri kanë dashur dikujt tjetër t’i jepej çmimi dhe t’i hynin në qejf.

“Do të thotë nuk kanë qenë në vijën e atyre çfarë kanë menduar. Jam shumë i bindur. Pa ndonjë Elizë apo tjetër, por nuk kanë qenë emrat që ata kanë menduar me fitu. Jam shumë i bindur.”

“Këto skandale i bën ministria. I ka bërë edhe më herët. Këto i kanë bërë me qëllim me i hy në qejf dikujt. E unë nuk jam ai që i hy në qejf dikujt. Në qoftë se ma beson, e bëj atë që mendoj”, ka thënë ai.