“Kabineti i funeralit të diktaturës”, Berisha komenton qeverinë “Rama 4” dhe zgjedh Kryesinë e grupit

Diçka ka ndodhur në 24  orët e fundit në Partinë Demokratike. Nga mbledhja e kryesisë në atë të grupit parlamentar gjuha e Sali Berishës ka ndryshuar sa i përket pranimit të mandateve nga demokratët.

“Vendimi i kryesisë për të hyrë në parlament, nuk është një vendim i lavdishëm”, tha kreu i PD.

Sali Berisha mblodhi së bashku deputetët në detyrë dhe të rinjtë e zgjedhur për t’i paraprirë seancës së parë të Parlamenti, ku bëhet betimi i deputetëve dhe marrja zyrtarisht e mandatit. Me lavdi apo jo nga salla e Kuvendit, demokratët po marrin një angazhim që është i vjetër po aq sa Edi Rama kryeministër.

“Ne do ngrihemi në lartësitë e pritshmërive dhe së bashku me demokratët që janë shumë të mërzitur, të dëshpëruar, të zhgënjyer, ne përmbushim kësaj here misionin më të rëndësishëm të jetës tonë. Edi Rama rrëmbeu mandatin e katërt. Misioni ynë është të mos e gëzojë këtë mandat. Ai nuk mund ta gëzojë këtë mandat”, tha Sali Berisha.

Takimi në selinë blu përkoi me shpalljen e e qeverisë së re nga Rama pak metra më larg tek pallati i Kongreseve. Sali Berisha e quajti kabinet funerali.

“Kabineti, u rivendosën në detyra të gjithë bashkëhajdutët kryesorë. Pra, të themi që ky është kabineti i fundit dhe i funeralit të narkodiktaturës, për të cilin ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet të ja shkurtojmë ditët sa më shpejt”, u shpreh ai.

Rama është 12 vjeç kryeministër dhe hyn për 16 me një qeveri gjithsesi të ndryshuar. Përballë ka Sali Berishën me një grup parlamentar që nuk ia ndërroi fytyrën as në legjislaturën e re.

“Mendoj se kryetar i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi. Sekretare Elda Hoti, detyrë që e ka kryer me përgjegjësi të madhe edhe si deputete edhe si sekretare dhe zëdhënëse, Ledina Aliolli. Nënkryetar Kuvendi, Agron Gjekmarkaj”, deklaroi Berisha.

Një surprizë e lehtë u zbulua me rebelimin në votim të deputetit vlonjat Bujar Leskaj.

Nga Asambleja e Partisë Socialiste u hodh edhe një dorashkë për betejë, pasi Edi Rama prezantoi Ogerta Manastirliun si kandidate për kryetare bashkie. Ky lajm duket se ishte i papritur për demokratët pasi Berisha në përfundim të takimit me deputetët pohoi se ende nuk kanë një emër për të sfiduar ish-ministren e Arsimit.