Flamur Kabashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në tryezën e organizuar nga FOL me temën “Mbrojtja e sinjalizuesve në Kosovë: Mes ligjit dhe realitetit”, në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2025”, ka thënë se sinjalizuesit duhet të shihen si mbrojtës të interesave të shteti dhe jo armik i institucionit qysh paraqitet.
Kabashi tha se qasja e institucioneve të drejtësisë ndaj sinjalizuesve është mesazhi “mos flit”, por që duhet të punohet nga të gjithë që kjo të shndërrohet në “fol”.
Ai shtoi se sinjalizimi e lufton korrupsionin brenda përbrenda institucionit publik apo privat. Sipas tij, shumë prej institucioneve nuk e përmbushin obligimin për zyrtarin për sinjalizim, e këta të fundit shpeshherë nuk e dinë rolin e tyre.
Hulumtuesi i IKD-së, tha se koncepti i ligjit është mbrojta e sinjalizuesve, por që fenomeni tregon që ata janë me të ekspozuar ndaj ndëshkimeve sesa personat që janë të dyshuar për keqpërdorim.
Kabashi përmendi skandalin me rezerva shtetërore, ku tha se në këtë rast të dyshuarit për keqpërdorim janë avancuar në pozitë, ndërsa, sinjalizuesi është ndëshkuar me largim nga puna, pastaj pas rikthimit në punë, ka masë ku i ndalohet avancimi.
Sinjalizimi e ka pru këtë rast, sinjalizuesi e ka bë të mundur të jemi në dijeni për këtë keqpërdorim, që tashmë kemi edhe aktakuzë”, ka thënë ai.
Ai tha se Prokuroria si organ hetues, duhet të luajë rolin e saj proaktiv dhe të japë mesazhin se i ndjekë ata që dyshohet për keqpërdorim, ndërsa, i mbron sinjalizuesit.
“Prokuroria duhet me vepru me profesionalizëm, sinjalizuesi i thjeshtë të paraqitet si partner dhe jo si armik i institucionit”, ka thënë tutje Kabashi.
Veç kësaj, ai tha se edhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, në kuadër të sinjalizimit duhet të jetë me transparente në kuadër të raporteve që duhet t’i publikojnë çdo vit, çka sipas tij, nuk ndodhë çdo herë.
Lëvizja FOL, të mërkurën organizoi tryezë diskutimi me temën “Mbrojtja e sinjalizuesve në Kosovë: Mes ligjit dhe realitetit”, aktivitet ky në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2025”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile me moton “Bashkë kundër korrupsionit”.











