Kabashi-Ramaj: Pezullimi i Dialogut Strategjik është dëm i pariparueshëm

Anëtarja e kryesisë së PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka deklaruar se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën është një goditje e madhe për vendin, sidomos në planin afatshkurtër.

Duke folur në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës, ajo theksoi se ky zhvillim ka shfaqur Kosovën si një partner të pasigurt për ShBA-në, pavarësisht mbështetjes së pakushtëzuar që ky shtet i ka dhënë ndër vite.

Kabashi-Ramaj u shpreh se Amerika, e cila ka kontribuar në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, kërkon bashkëpunëtorë të besueshëm që ndajnë vizionin e përbashkët për zhvillimin ekonomik, konsolidimin e brendshëm, avancimin ndërkombëtar dhe integrimin euroatlantik.

“Dëmi që i është bërë Kosovës duke u pezulluar Dialogu Strategjik, së paku në aspektin afatshkurtër, është i pariparueshëm, e sidomos përderisa Kosova udhëhiqet prej një qeverie që dje për të e thanë shumë qartë Shtetet e Bashkuara të Amerikës se nuk është partner i besueshëm”.

“ShBA-ja e cila ka ndihmuar në ndërtimin e shtetit tonë të ri, kanë nevojë për një partner të besueshëm, që i qëndron besnik vizionit tonë të përbashkët me aleatët tonë për progresin që duhet të ketë Kosova edhe në arenën ekonomike, edhe në zhvillimin e brendshëm, edhe në arenën ndërkombëtare, edhe në integrimin euroatlantik”, ka thënë Kabashi – Ramaj.