Ka “rilindur” tek Evertoni, Grealish thumbon Guardiolën: Rashë sërish në dashuri me futbollin…

Jack Grealish ka rigjetur vetveten pas dy sezoneve të vështira te Manchester City. Pep Guardiola pranoi se lojtari duhej të luante më shumë për të rifituar nivelin e tij, huazimi tek Evertoni po i jep të drejtë. Në vetëm dy ndeshje si titullar ka dhuruar 4 asiste, dyfishin e atyre me “qytetarët” në dy sezone.

29-vjeçari është bërë, pas Jeremy Goss, i vetmi lojtar në Premier League që regjistron dy ose më shumë asistime në dy ndeshjet e para si titular, me një ekip të ri. Përveçse lider në asistime në 5 ligat kryesore europiane, ai udhëheq edhe në duele të fituara, faulle të provokuara dhe driblime të kompletuara javën e fundit.

“Ndjehem sikur po e shijoj futbollin siç duhet. Desha vetëm ta riktheja këtë ndjesi. Besoj se, në vitet e fundit, ndonjëherë jam shkëputur emocionalisht. Nuk është se nuk e doja më futbollin, por thjesht nuk e shijoja aq sa duhet. Familja ma kujtonte shpesh, kur isha në shtëpi. Nuk është faji i askujt tjetër, është faji im…”, – tha Grealish, i cili e ka ngjitur Evertonin në vendin e pestë.

The post Ka “rilindur” tek Evertoni, Grealish thumbon Guardiolën: Rashë sërish në dashuri me futbollin… appeared first on Telesport.