“Ka pasur edhe zyrë në Beograd”, si Prokuroria Speciale ka bashkëpunuar me autoritetet serbe

Kanë kaluar 5 vjet pas arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, teksa procesi gjyqësor ka hyrë në fazën përfundimtare.

Lidhur me dëshmitë e dhëna në Gjykatën e Hagës, në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, është i ftuar deputeti i PDK-së, Artan Behrami, për të dhënë sqarim mbi atë se çfarë po ndodh me këtë dosje, që ka përfshirë jo vetëm emra të njohur të luftës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe kujtesën dhe dhimbjet e vuajtjes së një kombi.

Fillimisht, Behrami sqaron se kjo Prokurori, ka bashkëpunuar me autoritetet serbe, duke pasur gjithashtu dhe një zyrë të saj në Beograd.

“Që nga fillimi Prokuroria e Dhomës së Specializuar të Kosovës, ka bashkëpunuar me autoritetet serbe. Madje, ka pasur një zyrë në Beograd”, tha deputeti i PDK-së.

Por, a është e ligjshme, bazuar në kushtet e kësaj çështjeje? Siç shprehet Behrami, nuk është normale, kjo për shkak se janë marrë informacione të njëanshme, duke bërë “goditjen” në drejtësi ndaj Kosovës mbi krimet e bëra ndaj saj.

“Jo, nuk është normale, sepse Prokuroria e Gjykata Speciale është furnizuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila është përgjegjëse për krimet dhe për gjenocidet në Kosovë e Bosnje-Hercegovinë. Ka bashkëpunuar me Shërbimet Inteligjente, të cilat janë përgjegjëse për krimet në Kosovë. Kanë bashkëpunuar me Prokurorinë për Krime Lufte të Serbisë, e cila në masë të madhe nuk ka dënuar asnjë. As ushtarë, as politikanë serbë për krimet që kanë bërë”, tha ai.

Behrami shton më tej, se mbrojtja e të hetuarve e ka kundërshtuar këtë praktikë të organit të akuzës së Hagës.

“Mbrojtja gjatë gjithë kohës e ka kundërshtuar këtë praktikë. Madje ka edhe shumë shkresa të cilat Mbrojtja i ka përdorur në shkresat e tyre ku ka kërkuar që të gjitha dokumentet që vijnë nga Serbia, e sidomos në veçanti nga institucionet siç janë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Shërbimi Inteligjent, të kenë një analizë më të thellë për vërtetësinë e tyre”, sqaroi ai.

Sakaq, deputeti i PDK-së, shprehet se e gjithë ironia e gjithë kësaj çështjeje, është që Prokuroria e Hagës ka vënë në dyshim Policinë e Kosovës, lidhur me profesionalizmin e saj, dhe ka anuar nga institucionet të cilat kanë kryer krime lufte.

“Paradoksi është që kjo gjykatë, kjo prokurori, e ka konsiderurar Policinë e Republikës së Kosovës, që është ndërtuar me forcë dhe me mjete, e me përmbajtje amerikane, ka kontestuar profesionalizmin e tyre duke i pasqyruar si një grup kriminal kur ka qenë në pyetje lirimi i krerëve të UÇK-së, që të mbrohen në liri, deri sa e ka besuar institucioneve që është vërtetuar nga drejtësia ndërkombëtare që kanë bërë krime lufte në Ballkan”, tha ai.

Problem madhor, theksoi ai, mbetet fakti se shumica e dokumenteve janë marrë nga pala serbe, duke cenuar kështu barazinë para ligjit.

“Më skandaloz është fakti se shumica e dokumenteve kanë ardhur nga Serbia”, tha deputeti.