“Ka folur…”, Kurti pyetet për deklaratën e Rashiqit për 24 hektarët e Manastirit të Deçanit

Kryeministri Albin Kurti nuk dha shpjegime lidhur me deklaratën e ministrit për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rashiq se “Albin Kurti vendosi t’ia jap Manastirit të Deçanit 24 hektarë për hatër të tij”.

Kurti tha se për këtë ka sqaruar vetë ministri dhe ka folur edhe zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka.

“Ka folur tashmë zëdhënësi im Arlindi e po ashtu e ka sqaruar edhe ministri Rashiq”, tha Kurti shkurt.

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq në një intervistë për Radio Gorazhdecin ka folur për marrëdhënien e tij me kryeministrin Albin Kurti dhe vendimet e Qeverisë që prekin komunitetin serb.

Ndër të tjera, ai ka deklaruar se këmbëngulja e tij çoi në zbatimin e vendimit për bartjen e 24 hektarëve Manastirit të Deçanit, me ç’rast, siç ka shtuar ai, Kurti i kishte thënë se “po e bëj për shkakun tënd”.

“Do ta them, ndoshta pa modesti, por ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Për vite me radhë kam shpjeguar pse ishte e rëndësishme. Në fund, kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por e di – për shkakun tënd”, deklaroi Rashiq për Radio Gorazhdecin.

Mirëpo, një ditë më vonë, të hënën, Rashiq ka thënë se nuk ishte plotësisht e saktë deklarata e tij, se kryeministri Albin Kurti, i ka thënë se vendimin për kalim në pronësi të Manastirit të Deçanit të 24 hektarëve tokë po e merrte hatri i tij.

Në një sqarim lidhur me deklaratën e dhënë në një intervistë për “Radio Gorazhdevcin”, Rashiq, ka thënë se e ka ngatërruar fjalinë “këtë e kemi bërë për ty” të Kurtit, me një bisedë që kishte ndodhur më herët, gjatë miratimit të vizitës së patriarkut serb.

“Gjatë një paraqitjeje në podkastin e Radios Gorazhdevcin, kam deklaruar se gjatë marrjes së vendimit për kthimin e tokës Manastirit të Deçanit, kryeministri Kurti më ka thënë: ‘Këtë e kemi bërë për ty’. Kjo deklaratë e imja nuk ishte plotësisht e saktë, pasi e kam ngatërruar këtë fjali me një bisedë që kishte ndodhur më herët, gjatë miratimit të vizitës së Patriarkut serb, kur kjo fjali ishte thënë”, thuhet në sqarimin e Rashiqit.

Ai ka thënë se gabimi i tij ka qenë i paqëllimshëm dhe ky ngatërrim i ngjarjeve ka ndodhur për shkak se kanë kaluar disa vite që nga ajo kohë. “Kërkoj falje nëse deklarata ime ka krijuar konfuzion”, ka shkruar Rashiq.

Ndërkohë zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka theksuar se zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastiritt ë Deçanit është bërë vetëm në funksion të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në reagimin e tij, Manxhuka ka thënë se ajo që ka “ngatërruar” ministri Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitën e Patriarkut Porfirije në Kosovë për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, duke thënë se kjo çështje nuk lidhet me vendimin për zbatimin e aktgjykimit për tokën e Manastirit të Deçanit.