Kryetari i AAK-së dhe deputeti Ramush Haradinaj, mbrëmë në “Rubikon” të Klan Kosova foli rreth ngërçit që ka kapluar Kuvendin e Kosovës.
Ai u shpreh se ndjehet i zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit për konstituimin e kuvendit.
Haradinaj tha se vendimi i Kushtetueses është në linje me atë të kryetarit të VV-së, Albin Kurtit dhe siç u shpreh ai, afati prej 30 ditësh për konstituimin e kuvendit nuk e përmbyll gjendjen në të cilën ndodhet vendi, transmeton Klankosova.tv.
“Pak a shumë jam i zhgënjyer me Gjykatën Kushtetuese. Po ju tregoj dy elemente pse: Gjykata Kushtetuese nuk ka lëndë përditë, ka lëndë vetëm kur ia dërgon një palë. Nuk është si gjykatat e zakonshme që i ka një mijë lëndë e kur i shkon edhe një, duhet me pritë kur i vjen rendi. Gjykata Kushtetuese është institucion që e bën kujdestarinë jo vetëm të Kushtetutës por edhe të rendit kushtetues dhe e ka të drejtën e interpretimit të Kushtetutës, është përgjegjëse për sigurinë institucionale, për sigurinë nacionale. Se vendimet e saj ndikojnë në çdo element të jetës sonë”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së shtoi se Kushtetuesja ka mundur ta trajtojë me më me urgjencën lëndën, madje sipas tij, këtë ka mundur ta bëjë brenda dy jave.
“Së pari jam habitur që i ka marrë 60 ditë me kthy përgjigje për një temë që është bukur me urgjencë në vend. Se nuk i kanë pas 10 lëndë tjera edhe nuk kanë qenë zënë, kjo lëndë ka mund të trajtohet për një periudhë dyjavore edhe na ia kishim fituar Kosovës edhe gjashtë javë tjera. Tjetra është se ata nuk jetojnë në një planet tjetër por në Kosovë, ata po e shohin ku janë problemet e këtij vendi. Gjyqtarët e Kushtetueses e dinë çka po i ndodhë këtij vendi”, theksoi Haradinaj.
Ai tutje u reagoi ashpër gjyqtarëve të Kushtetueses, pasi sipas tij vendimi që kanë marrë i shkon për shtati qasjes së Kurtit, siç tha ai për të mbajtur grushtshtet në Kosovë.
“Mendoj se gjyqtarët e kanë pasur një mundësi të artë për ta ndihmuar vendin e vetë, me interpretu situatën ekzistuese institucionale në bazë të Kushtetutës se e kanë atë të drejtë me i dhanë perspektivë vendit. E vërtetë është që e kanë dhënë një afat 30 ditor, por nuk e kanë mbyllë këtë gjendje pra e kanë lënë të paqartë. Duke qenë kështu, kam drojë se edhe ky vendim është pak a shumë në qasjen e Kurtit për me mbajt një grusht shteti në Kosovë. Ky vendim nuk ka qenë i qartë sa me pengu një grusht shtet që po ndodhë në Kosovë”, tha Haradinaj.
Tutje, Haradinaj deklaroi se ka ardhur koha e sanksioneve nga Gjykata Kushtetuese ndaj atyre që po bllokojnë procesin.
Një nga sanksionet sipas Haradianj do të duhej të ishte heqja e të drejtës së partisë së parë për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit kur nuk i bënë numrat, e këtë të drejtë t’ua kaloj grupeve tjera parlamentare, transmeton klankosova.tv.
“Meqenëse në këtë shqyrtim Gjykata Kushtetuese nuk e ka dhënë sanksionin, mendoj se po vjen koha e sanksionit. Një sanksion është me ia hekë të drejtën atij që po bllokon e nuk po mundet me i ba numrat në këtë rast të parit e me ia kalu të dytit. Edhe një sanksion më i rëndë është me sanksionu krejt shoqërinë, me i shpallë zgjedhjet. Unë besoj se do të ishte në rregullt me ia dhanë të drejtën grupeve tjera pra të dytit me zgjedh kryetarin e kuvendit, e nëse të dytët nuk arrijnë me pa se çka ka sanksione tjera. Koha po shkon shpejt e ne jemi peng i Kurti, e ka nda mendjen me i bë keq Kosovës”, tha Haradinaj.
I pari i AAK-së po ashtu tha se pesë votat e deputetëve të partië së tij nuk do të shkonin assesi për një qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti.
Ai ka theksuar se është për qeveri të partive opozitare, por se nuk është për përjashtimin e pjesëmarrjes së Lëvizjes Vetëvendosje në një qeveri të drejtuar nga Bedri Hamza ose Lumir Abdixhiku.
“Po vërtetohet që kemi pasur të drejtë që bashkëpunimi me Kurtin është në dëm të Kosovës. Shiheni kush është, ja dëgjuat fjalorin. Edhe jo nuk mendojmë që është ndihmesë për qytetarët e Kosovës që ne me i jep mbështetje Kurtit 3. Jo nuk vjen në shprehje vota për Kurtin. Jo koalicion. Nëse qeverinë e udhëheqë njëri nga opozitarët edhe Vetëvendosje dëshiron me marrë pjesë nuk jam kundër, nëse e udhëheqë Bedri Hamza, Memli Krasniqi apo Lumir Abdixhiku ose unë nuk jam kundër edhe pjesëmarrjes më të madhe. Qeveri të udhëhequr nga Kurti jo, jo Kurti 3 por të udhëhequr p.sh nga Lumir Abdixhiku e LVV nëse dëshirojnë me marrë pjesë ne një qeveri më e madhe, një qeveri të unitetit ose e udhëheqë Bedri Hamza e dëshirojmë një qeveri nacionale unë nuk jam kundër. Nuk jam kundër e as përjashtimit total të një strukturë më të madhe, por aleanca nuk ka votë për Kurtin 3”, tha Haradinaj.