Juventusi i ri e nis parasezonin me barazimin 2-2 në shtëpi, në miqësoren kundër Reggiana. Skuadra e Igor Tudor e pa veten fillimisht në disavantazh (nga goli i Girma), por përmbysi me Conceição dhe Vlahovic (për serbin edhe një shtyllë). Sidoqoftë, 20 minuta para fundit të lojës, rezultati u barazua nga Gondo përfundimisht.
Tudor hodhi në fushë dy formacione të përziera mes titullarëve dhe rezervave, nga një për secilën pjesë loje. Ai u pa të kërkonte vazhdimisht intensitet dhe shpejtësi në pasime. Lajmi më i mirë i pjesës së parë ishte prania e Gleison Bremer në qendër të mbrojtjes, 300 ditë pas dëmtimit të rëndë në gju, që pësoi thuajse një vit më parë në Leipzig.
Braziliani, ende në fazë “ngrohjeje” më shumë se të tjerët, nuk e kurseu veten në duelet dhe përplasjet fizike. Shenja inkurajuese edhe nga bomberi i ri Jonathan David (ish-lojtar i Lille), në fushë në pjesën e parë, me Miretti dhe Conceição pas tij dhe afër golit në dy raste.
Në këtë pjesë shënoi Conceição (me një goditje të ulët), duke përmbysur brenda një minute avantazhin e papritur të Reggiana, realizuar nga Girma (22’). Juventusi ishte dukshëm i rënduar fizikisht pas një jave me dy seanca stërvitore në ditë dhe pune të fortë fizike. Kalulu gaboi në spastrim zone, por edhe portieri Di Gregorio nuk ishte i pakalueshëm në goditjen e Girma. Kelly zhgënjeu, disa lëvizje të mira u panë nga Kostiç në të majtë, ndërsa Koopmeiners luajti në qendër të mesfushës me Locatelli.
Në pjesën e dytë zbriti në fushë një Juventus tjetër, një formaion tërësisht ndryshe: nga Pinsoglio në portë, te blerja e re Joao Mario në të djathtë, Thuram në mesfushë, Yildiz pas sulmuesit dhe Vlahovic në majë si “pykë”. Serbit i mjaftuan vetëm dy minuta për të shënuar (2-1) me një devijim pranë portës.
Reggiana nuk pranoi të dorëzohej dhe, duke përfituar nga një tjetër gabim i Juventusit, gjeti barazimin 2-2, kur kishin mbetur edhe 20 minutë lojë para fundit. Stulac shpiku një asist dhe Gondo shënoi me kokë mes Djaló dhe Gatti.
Douglas Luiz, Weah dhe Arthur nuk ishin as në stol. Pra, ata janë gjithnjë e më pranë largimit. Pas ndeshjes, bardhezinjtë u nisën drejt Gjermanisë. Deri më 9 gusht do të stërviten në qendrën e Adidas-it në Herzogenaurach, ndërsa më 10 gusht do të luajnë miqësoren e dytë të sezonit kundër Borussia Dortmundit, në transfertë.
The post Juventusi, vetëm barazim në miqësoren ndaj Reggiana. Mbrojtja “lëkundet”, por Vlahovic është aty appeared first on Telesport.