Juventusi siguron bomberin kanadez për sulmin, tani e ka radhën… Osimhen

Juventusi mbylli aventurën në Botërorin për Klube pas humbjes 1-0 ndaj Real Madridit, por gjen ngushëllim te lëvizja e parë e rëndësishme e merkatos verore; afrimi i shumëkërkuar për sulmin, Jonathan David.

Gjatë natës, drejtuesit bardhezinj arritën marrëveshjen me sulmuesin kanadez, të lindur në vitin 2000, i cili është i lirë pasi përfundoi aventurën me Lille (16 gola në 32 ndeshje në Ligue 1 dhe 9 gola në 14 ndeshje në Champions League, gjatë sezonit të fundit).

Për ta mbyllur gjithçka mbeten vetëm disa detaje të fundit për t’u përcaktuar. Futbollisti, i cili ndodhet me pushime pas eliminimit të kombëtares së tij nga “Gold Cup”, është gati të udhëtojë drejt Italisë për kontrollet mjekësore dhe firmosur kontratën me Juventusin. Për David është parashikuar një kontratë disa vjeçare, me 6 milionë euro neto në sezon, plus 2 milionë bonuse.

Juventusi, që prej kohësh ndiqte David, vendosi të veprojë me vendosmëri duke përshpejtuar bisedimet me agjentët e lojtarit në ditët e fundit dhe e mbylli marrëveshjen, pavarësisht nga e ardhmja e Dusan Vlahovic.

Për të, ish-sulmuesi bardhezi, David Trezeguet u shpreh: “Është një djalë që në Francë ka regjistruar shifra interesante. Jonathan është i ri, i shpejtë dhe me cilësi. Një profil i fortë, që shënon me vazhdimësi”.

Mbërritja e David në skuadrën e Tudor nuk përjashton gjithsesi një tjetër përforcim të madh; Victor Osimhen. Sulmuesi nigerian është rikthyer te Napoli pas huazimit te Galatasaray dhe mbetet një objektiv i gjallë për Juventusin.

Ndërkohë, Al Hilal është gati të paguajë 75 milionë eurot e klauzolës së tij të largimit, si dhe i ka ofruar një pagë të frikshme prej 40 milionë eurosh neto në sezon. Sulmuesi në fjalë, megjithatë duket i vendosur të qëndrojë në Europë.

The post Juventusi siguron bomberin kanadez për sulmin, tani e ka radhën… Osimhen appeared first on Telesport.