Juventusi nuk dorëzohet për Kolo Muani, ndryshon strategji për ta bindur PSG-në

Koha për merkaton verore po shkon drejt fundit. Limiti është e hëna, ora 20:00, por Juventusi ende nuk e ka zgjidhur çështjen e sulmuesit francez, Kolo Muani. Drejtori Comolli ka shfaqur qetësi, por janë orë vendimtare për të provuar ta rikthejë sulmuesin francez në “Continassa”.

Negociatat me PSG-në kanë pasur luhatje gjatë gjithë verës, me njoftime të ndryshme për afrimin e sulmuesit dhe pengesa të papritura, që kanë acaruar tifozët bardhezinj dhe vetë protagonistët. Në Torino vazhdojnë të punojnë me të gjitha mënyrat për të arritur një marrëveshje pozitive, duke ruajtur optimizmin, pavarësisht “barrës” që krijon Vlahovic dhe vështirësive me disa dalje të tjera që nuk po realizohen.

Sipas mediave italiane, Juventusi ka ndryshuar ofertën për PSG-në. Tani ofrohet një huazim më i shtrenjtë, mbi 10 milionë euro, me të drejtën për blerje, që do të bëhej obligative nëse do të plotësoheshin disa kushte sportive.

Alternativa është edhe një huazim i thjeshtë deri në qershor 2026, duke shtyrë çdo vendim për transferimin përfundimtar. Të dyja opsionet do t’i lejonin Juventusit të respektojë rregullat e “fair-play financiar” të UEFA-s. Tani, përgjigja varet nga kampioni aktual i Europës, ndërsa koha po mbaron shpejt.

The post Juventusi nuk dorëzohet për Kolo Muani, ndryshon strategji për ta bindur PSG-në appeared first on Telesport.