Juventusi detyron Spallettin të heqë dorë nga supersticioni i veshjes

Luciano Spalletti duhet të heqë dorë nga tutat, të cilat do t’i kishte veshur me dëshirë edhe në aventurën e tij të re te Juventusi. Për të ishte çështje komoditeti, por edhe supersticioni, pasi pikërisht me tuta fitoi titullin te Napoli. “Tuttosport” shkruan se te Juve rregullat janë të qarta dhe nuk lejojnë përjashtime.

Edhe pse Spalletti do të donte të rikthente në Serie A veshjen e tij “fatlume”, tutat e gjata, gri dhe errët, shpesh të kombinuara me një xhup, për të neutralizuar kabalat dhe ndier më i qetë, kjo nuk është e mundur në klubin bardhezi.

Te Juventusi, kodi i veshjes në pankinë është i pandryshueshëm; trajnerët shfaqen vetëm me veshje elegante, me kostum, xhaketë dhe kravatë. Ky rregull u forcua pas periudhës së Sarrit, të cilit iu lejua thjesht një polo me mëngë të gjata si kompromis. Për Spallettin nuk parashikohen lëshime, ai do të duhet ta sfidojë fatin duke veshur një komplet formal.

The post Juventusi detyron Spallettin të heqë dorë nga supersticioni i veshjes appeared first on Telesport.